Seanca paraprake për çështjen “Partizani” është planifikuar të mbahet më 20 janar, në orën 10:00. Kjo çështje ka të bëjë me pretendime për shkelje dhe manipulime lidhur me pronat e kompleksit “Partizani”, ku është përfshirë edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Avokati i tij, Genc Gjokutaj, ka deklaruar se çështja nuk duhet të shkojë për gjykim. Në një prononcim për mediat, Gjokutaj theksoi se mbrojtja ka paraqitur një sërë kontestimesh të detajuara për të provuar se dosja nuk ka bazë ligjore për të vazhduar.
“Çështja e zotit Berisha nuk lidhet me gjykim të shkurtuar. Ne kërkojmë pushimin e saj. Nuk është detyra jonë të shpjegojmë më tej, pasi kallëzimi është i rremë dhe e gjitha ka të bëjë me çështjen e pronës. Kontestimet tona ishin voluminoze, për të shpjeguar çdo detaj që kjo çështje nuk duhet të shkojë në gjykatë për gjykim,” tha Gjokutaj.