Ballina Opinion Unaza e Madhe, Tirana, Shqipëria dhe rajoni! Si Unaza na jep 100...

Unaza e Madhe, Tirana, Shqipëria dhe rajoni! Si Unaza na jep 100 milionë euro fitim çdo vit

51
0

Nga Fatos Çoçoli 

Unaza e Madhe e Tiranës përfundoi dhe u inagurua më 30 dhjetor 2024.  Ajo ka një gjatësi prej 28,8 kilometrash dhe është e ndarë në katër segmente: Unaza Veriore, e cila fillon te ish-Sheshi Shqiponja dhe përfundon tek Mbikalimi në Shkozë, Unaza Perëndimore, e cila fillon tek ish-Sheshi Shqiponja dhe përfundon tek Mbikalimi tek Pallati me Shigjeta, Unaza Jugore, që nis tek Mbikalimi tek Pallati me Shigjeta dhe përfundon tek Rrethrrotullimi i TEG, si dhe Unaza Lindore, e cila nis tek Rrethrrotullimi i TEG-ut dhe përfundon tek Mbikalimi i Shkozës, duke përfshirë segmentin nga Mbikalimi i Shkozës e deri tek Materniteti i ri.

Unaza, krahas korsive të shpejtësisë së automjeteve, ka pjesë të projektit edhe elementët të komunitetit, si ndriçim dhe gjelbërim, duke qenë se kalon përmes zonave të banuara. Për këmbësorët ka gjithashtu hapësira të kushtuara.

Unaza ka disa vepra arti, 4 kryqëzime në disnivel, 1 viadukt me gjatësi 420 m, si dhe dy ura mbi lumin e Tiranës, me gjatësi 280 dhe 130 m. Janë ndërtuar gjithashtu mure mbajtëse dhe pritëse, si dhe janë realizuar punime për mbrojtjen lumore me pilota, punime për spostimin e linjave të kanalizimeve, rrjetit të ujësjellësit dhe linjat e tensionit të mesëm dhe të lartë.

Kosto e katër segmenteve të Unazës
– Unaza Veriore 168 mln euro
– Unaza Perëndimore 58 mln euro
– Unaza Jugore 96 mln euro
– Unaza Lindore 121 mln euro
Totali: 443 mln euro

Pse Unaza është vepër madhore në infrastrukturë?

Projekti i Unazës së Madhe e ka zanafillën që në vitin 2009, por gjatë një dhjetëvjeçari u investua pak për ndërtimin e plotë të saj. Puna kryesore për ndërtimin e Unazës nisi që nga viti 2019. Unaza e Madhe e Tiranës përfaqëson një vepër madhore infrastrukturore të vendit, me vlerë  443 milionë euro.

Ajo i ofron shërbim infrastrukturor jo vetëm kryeqytetit, por të gjitha autostradave kryesore të vendit, që janë të lidhura me të, si ajo Durrësit që shkon drejt Jugut, apo e Elbasanit, që shkon drejt Juglindjes. Kjo vepër u shërben shumë edhe turistëve të huaj që kalojnë ose qëndrojnë në kryeqytet dhe që jane më shumë se një milion çdo vit.
Të gjitha arteriet kryesore rrugore të vendit, ku qarkullon më shumë se 80 përqind e tregtisë dhe e biznesit të Shqipërisë, lidhen me Unazën e Madhe të Tiranës.

Ky projekt ka dhe një veçanti tjetër. Krahas fondeve të Buxhetit tonë të Shtetit, kjo vepër, e cila ndryshe thirret edhe si “By-Pass-i i Tiranës”, u ndërtua edhe me kontributin e fondeve të Axhendës së Konektivitetit të Procesit të Berlinit. Me 152 milionë euro të këtyre fondeve.

Kjo dëshmon se  Bashkimi Evropian ka konsideruar që kjo vepër ka rëndësi rajonale, edhe për vendet rreth Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, krahas ndihmës për ekonominë e Shqipërisë.

Vlera e rritur e pasurivë të qytetarëve nga rrugët e reja
– Nga Tuneli i Llogarasë 450 mln euro
– Nga Lungomaret 1,2,3 dhe 4  400 mln euro
– Nga Unaza e Madhe e Tiranës dhe rrugët e tjera 650 mln euro
– Totali: 1.4 miliardë euro

Gjatë ndërtimit, qeveria u kujdes për strehimin e banorëve, në shtëpitë e të cilëve kalonte rruga, për të gjithë periudhën e akomodimit të tyre, përmes bonusit të qirasë, si dhe për legalizimin e shtëpive, për të pasur mundësi që banorët e prekur ta marrin të plotë vlerën e shpronësimit.
Unaza si gjallërim jete dhe bashkëpunim me banorët

Në pjesën Verilindore të Unazës, qeveria ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me banorët, pavarësisht se këtu ishin 133 njësi, apartamente, njësi tregtare, etj., të cilat duhej të spostoheshin, për t’u krijuar shtrati i rrugës.

Në të gjitha zonat ku Unaza e Madhe kalon, ky segment rrugor ka gjallëruar jetën e komuniteteve përreth dhe ka shtuar me një mesatare dy deri trefish në pesë vitet e fundit, vlerën e pronave dhe të investimeve të banorëve që jetojnë shumë pranë Unazës, si dhe në zonat përreth saj.

Për shembull, vlera e një apartamenti banimi 100 m2 në Astir ka shkuar, nga 400 euro metri katror në periudhën përpara përfundimit të segmentit të Unazës në Astir, në mbi 1 mijë euro metri katror sot, ose rritur me 2.5 herë!

Rrjet masiv rrugësh dytësore

Unaza e Madhe është e qarkuar e gjitha me rrugë dytësore, që aksesi i banorëve përreth saj të jetë i plotë në Unazë. Në projektet e mëparshme të trashëguara për Unazën, përveç punës së paktë të bërë, ka patur një problematikë shumë të madhe.

Këto projekte nuk parashikonin shumë rrugë dytësore dhe rrezikonin izolimin e zonave dhe banorëve të komuniteteve perreth Unazës, të cilëve, me segmentet e para të realizuara deri në vitin 2019, u duhej të ecnin shumë gjatë, për të arritur në shtëpitë e tyre.

Projekti përfundimtar i Unazës ndërhyri edhe në segmentet e përfunduara më parë, duke shtuar rrugët dytësore të domosdoshme. Unaza ka shumë nyje, ku bëhet lidhja e të gjitha rrugëve dytësore.

Të gjitha këto vepra, pavarësisht se Unaza e Madhe e Tiranës është një rrugë e Kategorisë A, me një gjerësi 28 metra, kanë një të përbashkët. Pavarësisht se ka karakteristikat e një autostrade, Unaza nuk është trajtuar si një autostradë, por si një rrugë urbane, ku gjelbërimi, ndriçmi dhe akseset për kalimtarët janë të siguruara. Kjo vepër nuk mund të vijohej të realizohej, me rrugë të bllokuara, pa aksese për kalimtarët, pa gjelbërim dhe pa ndriçimet e duhura.

Unaza përfaqëson mirëfilli një projekt i madh, i cili, në bashkëpunim me bashkitë e Tiranës dhe të Kamzës, ka sjellë me dhjetëra rrugë dytësore, me elementë lehtësues për të gjithë banorët e zonave përreth. Dhe, me ç’duket, këta banorë do të shtohen shumë këtë vit dhe në vitet që vijnë.

Si fitojmë 100 milionë euro në vit nga Unaza?

Unaza ka mundur të nxjerrë në pah edhe Lumin e Tiranës, i cili kishte humbur shkurreve deri tani. Rehabilitimi i pjesës së lumit është shumë i rëndësishëm. Dikur ai ishte i mbuluar nga plehrat dhe nga bimësia e egër.

Me ndërtimin e Unazës së Madhe, ky lumë ka dalë në dritë dhe po kthehet në një tërheqje të fortë turistike. Ai do të ketë një shëtitore që do ta ndjekë, me një rrugë biçikletash.

Lumi, me infrastrukturën e re të prurë nga Unaza, do t’u shërbejë bindshëm banorëve të zonës apo vizitorëve, pasi do t’ia vlejë me të tepërt, për çdo qytetar të zonës dhe vizitor,  një shëtitje apo vrapim pasditeve buzë tij, apo herët në mëngjes.

Unaza e Madhe e Tiranë që tani ka shtuar rritjen ekonomike të kryeqytetit dhe të gjithë vendit, duke shlyer përgjysëm paratë e hedhura në ndërtimin e saj, kryesisht përmes rritjes së shpejtë të vlerës së apartamenteve dhe ndërtimeve të biznesit buzë dhe përreth saj. Tani që është e përfunduar, Unaza e Madhe e Tiranës pritet të kontribuojë me të paktën 0.4 përqind të prodhimit kombëtar (GDP) të Shqipërisë, ose mbi 100 milionë euro çdo vit.