Kreshnik Farruku, një person i kërkuar nga autoritetet spanjolle, është vetëdorëzuar në Policinë e Durrësit. Farruku është kreu i klanit Farruku, i njohur për aktivitetet kriminale.
Ai ishte në kërkim ndërkombëtar dhe iu konfiskuan pasuritë në dhjetor të vitit të kaluar, pas hetimeve që lidhen me aktivitetet e paligjshme të këtij klani.
Pas dorëzimit të tij, autoritetet po vazhdojnë hetimet dhe procedurat përkatëse, ndërsa Farruku do të përballet me akuzat për të cilat është i kërkuar.
Në dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme ka konfiskuar 27 pasuri të këtij klani, të regjistruara në emër të Kreshnik Farrukut dhe vëllait Erneo Farrukut, përfshirë toka bujqësore, apartamente, dyqane dhe automjete.
Ndër pasuritë e konfiskuara numërohen disa prona në Tiranë dhe Durrës, apartamente në ndërtesa luksoze, automjete të markave “Mercedes Benz” dhe “Smart”, si dhe bizneset “Eco Energy System” dhe “Rrotull-Beton”.
Pasuritë janë sekuestruar për arsye të dyshimeve se janë përfituar nga aktivitete kriminale, duke përfshirë trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave.
Në maj 2010, Farruku u arrestua së bashku me 7 anëtarë të tjerë të bandës në Barcelonë. Në vitin 2014, Kreshnik Farruku u arratis nga burgu dhe u arrestua në vitin 2019 teksa kërkohej në Spanjë e Itali për trafik kokaine dhe vjedhje të disa banesave.
Në 2015 Kreshnik Farrukut i është bë një atentat në Shqipëri në zonën e Don Boskos. Sipas medieve spanjolle Kreshnik Budlla dyshohej për vrasjen e bosit të tij në Spanjë, në 2010, për shkak të pazareve të drogës, por më pas rezultoi se vrasjen e kishte përgatitur Devi Kasmi, që u vra në një atentat në janar të 2018-ës në Tiranë.