Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga qelia për marrjen në pyetje nga SPAK lidhur me çështjen e lobimit të LSI-së në SHBA.
Në një postim në Facebook, Meta deklaroi se gjatë procesit ai i ka pyetur prokurorët mbi ecurinë e hetimeve për inceneratorët dhe ka paraqitur dokumente që, sipas tij, implikojnë kryeministrin Edi Rama dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.
Meta e përshkroi procesin si një “seancë pyetjesh reciproke”, duke ironizuar dinamikën e marrjes në pyetje. Ai pretendon se ka paraqitur tre fakte kryesore që, sipas tij, tregojnë shkelje ligjore:
- Firmosja e bonusit prej 8% nga Edi Rama për kompaninë Integrated Energy BV sh.p.k për inceneratorin e Tiranës, një kompani që Meta thotë se “nuk ekzistonte” në momentin e firmosjes.
- Firmosja e kontratës koncesionare për inceneratorin e Elbasanit nga Rama, pavarësisht paralajmërimit nga Drejtori i Agjencisë së Prokurimeve Publike se procedura ishte e paligjshme.
- Vendimi i Erion Veliajt për inceneratorin e Tiranës, të cilin Meta e akuzon për shkelje të ligjit dhe shmangie të vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak.
Meta gjithashtu akuzoi SPAK-un dhe mediat që i mbështesin hetimet për të shpërfillur çështjen e inceneratorëve, të cilën ai e cilëson si një mega-aferë korrupsioni që vazhdon të dëmtojë financat publike.
Ai përfundoi duke nënvizuar se dokumentet e paraqitura janë “me firmë dhe vulë”, duke kërkuar një reagim konkret nga SPAK mbi çështjen.
Postimi i plotë:
“Në seancë e sotme të pyetjeve reciproke në SPAK, në cilësinë e Presidentit të Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare në vend, që ka qenë denoncuesja kryesore e megaaferës së inceneratorëve, që ka përgjegjës kryesorë Edi Ramën dhe Ëngjëll Agaçin, paraqita sot tre fakte zyrtare dhe panele që i ngarkon ata me përgjegjësi.
1. Edi Rama, në kundërshtim me çdo ligj në fuqi, më datë 7.12.2016, firmosi dhënien e bonusit prej 8% të pikëve kompanisë Integrated Energy BV sh.p.k për procedurën e konkurrimit, për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, por që ne fakt kjo kompani NUK EKZISTONTE në momentin që Kryeministri firmosi bonusin që e favorizonte ne procedurën konkurruese.
2. Edi Rama ka firmosur në kundërshtim me ligjin “Për koncensionet dhe Partneritetin Publik/Privat”, për negocimin pa shpallje të kontratës koncensionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit edhe pasi Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjell Agaçi, u njoftua zyrtarisht nga Drejtori i Agjencisë së Prokurimeve Publike, z. Eduard Ahmeti, se procedura e përzgjedhur për dhënien e këtij koncensioni negocim pa shpallje është e paligjshme.
3. Firmën e paligjshme të Erion Veliaj për miratimin e koncensionit 30-vjeçar të inceneratorit fantazmë të Tiranës, në shmangie të vendimarrjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe në shkelje të ligjit.
Meqë kjo çështje ka interes të lartë publik, pyetja ime ishte se çfarë bëhet me hetimet ndërkohë që dhjetëra milion euro vazhdojnë të vidhen dhe të financojnë kallëzues të rremë, media dhe analistë “spakistë” që përmbytin banaqet televizive?
Që të mos lodhet më shumë SPAK dhe analistët “spakistë” ja ku i kanë dokumentat me firmë dhe me vulë”, shkruan Meta.