Analisti Preç Zogaj vlerësoi punën e SPAK si historike dhe vendimtare për luftën kundër pandëshkueshmërisë.
Ai tha se Struktura e Posaçme po prek figura të fuqishme, që deri dje konsideroheshin të paprekshme, dhe se institucionet duhet të respektohen, pavarësisht kritikave.
Sipas Zogajt, SPAK po vepron me qetësi dhe profesionalizëm, duke normalizuar hetimet në nivele të larta dhe duke shënuar një hap të madh drejt sundimit të ligjit në Shqipëri. Ai vuri në dukje se pandëshkueshmëria, një problem historik i raportuar shpesh edhe ndërkombëtarisht, po merr fund.
Në lidhje me paraqitjen e Ilir Metës në SPAK, Zogaj e përshëndeti ish-presidentin për respektimin e procedurës ligjore, duke lënë mënjanë retorikën e mëparshme të sulmeve ndaj këtij institucioni. Në kontrast, ai kritikoi qëndrimin e ashpër të Sali Berishës, duke theksuar se përballja me drejtësinë është mënyra e vetme për të trajtuar akuzat.
Zogaj gjithashtu komentoi se mbështetja për SPAK nga partitë politike mund të kthehet në një aset elektoral. Ai argumentoi se SPAK gëzon mbështetje të madhe nga publiku dhe partitë që e mbështesin do të përfitojnë politikisht. Për më tepër, ai sugjeroi se partitë e vogla duhet të bashkohen për të rritur ndikimin e tyre elektoral.
Në fund, Zogaj theksoi rëndësinë e votës së diasporës si një e drejtë kushtetuese dhe u shpreh se zbatimi i kësaj të drejte po ecën përpara. Ai paralajmëroi një periudhë të re, ku betejat ligjore të politikanëve do të bëhen publike, duke rritur transparencën dhe besimin në drejtësi.
“Në mendimin tim, SPAK po bën punën me dosje të ndryshme. SPAK po punon, çdo ditë ka dinamika. Meta u paraqit sot, u paraqit ashtu siç i takon një shtetari, duke u përballur drejtpërdrejtë, duke lënë pas akuzat dhe sharjet. Ilir Meta e ka kuptuar dhe e di shumë mirë se kjo betejë bëhet vetëm kështu, duke u përballur. Nga ana e tij, Sali Berisha iu përmbajt masës së SPAK, por vijon retorikën e ashpër ndaj institucionit të akuzës. SPAK nuk intimidohet e as provokohet. SPAK është institucion që sheh gjërat ftohtë, përfaqëson institucionin e akuzës, po bën punën që i takon në mënyrë racionale. Të sfidosh drejtësinë nuk është normale dhe as e zakonshme. Qëndrimi mund të jetë kritik, por duhet të respektohet institucioni. Duhet thënë se SPAK po shkruan histori për sundimin e ligjit, po normalizon hetimet në sfera të larta.
Pandëshkueshmërisë po i vjen fundi, një fenomen tipik shqiptar, që është përmendur edhe në raporte ndërkombëtare. Askush nuk është i paprekshëm nga ligji. Ka hetime nga të gjitha krahët, ka hetime kudo që ka akuzë. Në këtë pikëpamje, nuk mund të them se SPAK po punon me dy standarde. Këtë e thonë ata që janë në konflikt interesi kryesisht. SPAK po i del përballë një gangrene, duke goditur politikanë, banda, që kanë nga pas edhe pasuri të madhe, nuk është e lehtë, ndaj puna e Strukturës së Posaçme duhet vlerësuar.
Së shpejti, do të nisë beteja në gjykatë e politikanëve. Publiku do të shikojë gjyqet, do të shikojë qëndrimet e drejtësisë, por edhe të të akuzuarve. Unë mendoj se partitë që mbështesin SPAK kanë favor elektoral, pasi SPAK ka mbështetje të madhe publike. Kush nuk e sheh këtë gjë, nuk është realist. Partitë e vogla që mbështesin SPAK do të kenë favor, por besoj se nëse do të bëheshin bashkë do të ishin më të fortë. Nëse konkurrojnë veçmas në zgjedhje, vota për ta mund të mos jetë aq me vlerë. Vota e diasporës është një e drejtë kushtetuese, që po gjen zbatim edhe ligjërisht”, u shpreh Zogaj.