
Grupet e të drejtave të njeriut dhe aktivistët kanë bërë thirrje për një hetim ose shkarkimin e ministrit të Drejtësisë të Sirisë pasi u shfaqën video të vjetra që e lidhin atë me ekzekutimin e dy grave të akuzuara për prostitucion.
Shadi al-Waissi u emërua nga autoritetet e reja, të cilat dolën nga koalicioni i udhëhequr nga grupi radikal islamist Hay’at Tahrir al-Sham (HTS), i cili mori pushtetin në Damask më 8 dhjetor.
Në një video, persona të armatosur i kërkojnë një gruaje të mbuluar të akuzuar për “prostitucion” të gjunjëzohet në rrugë përpara se ta vrasin, ndërsa një burrë që duket të jetë ministri aktual i drejtësisë filmon skenën në telefonin e tij.
Në një video tjetër, i njëjti person shihet duke i dhënë një dënim me vdekje një gruaje për “prostitucion” dhe një luftëtar në krah të tij e qëllon në kokë.
Drejtori i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), Rami Abdel Rahman, i tha AFP-së të mërkurën se videot datojnë nga viti 2015, në mes të luftës civile, dhe se ato shfaqnin në të vërtetë al-Waissi, i cili në atë kohë ishte një gjyqtar fetar brenda Frontit Al-Nusra, përpara se të ndahej nga Al-Qaeda.
Të shtunën, platforma e verifikimit në internet Verify Syria citoi një “zyrtar të lartë” të autoriteteve të reja të thoshte se Waissi ishte një gjykatës në rajonin rebel të Idlib-it (në veriperëndim), i kontrolluar nga HTS-ja në atë kohë.
Zyrtari shtoi se ekzekutimet “u kryen në përputhje me ligjet në fuqi në atë kohë” dhe pasqyruan “një epokë të shkuar”.