Ballina Politika Kalaja padit Xhaferllarin dhe Alibeajn: Bashkëjetesa e fshehur midis tyre dëmton integritetin...

Kalaja padit Xhaferllarin dhe Alibeajn: Bashkëjetesa e fshehur midis tyre dëmton integritetin kushtetues

53
0

Adriana Kalaja, kryetarja e Komisionit të Apelimit në Partinë Demokratike, ka depozituar një kallëzim penal në SPAK kundër anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari, dhe deputetit Enkelejd Alibeaj.

Ajo i akuzon këta të dy për kryerjen e disa veprave të rënda penale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve, fshehjen e të ardhurave, shpërdorimin e detyrës, përfitimin e interesave të paligjshme dhe ushtrimin e ndikimit të paligjshëm. Kalaja theksoi se Xhaferllari ka marrë pjesë në aktivitete politike, pavarësisht ndalimeve ligjore, gjatë kohës kur vula dhe logoja e PD mbaheshin nga Lulzim Basha.

SPAK ka vendosur të mos fillojë çështjen, duke e cilësuar këtë si një shkelje të lehtë, por Kalaja e konsideron këtë veprim një bashkëpunim të dyshuar mes dy personave. Sipas saj, as Xhaferllari dhe as Alibeaj nuk kanë deklaruar bashkëjetesën e tyre në institucionet përkatëse, duke kryer falsifikim dhe fshehje të të ardhurave. Kalaja ka kërkuar përjashtimin e Xhaferllarit nga shqyrtimi i çështjeve që lidhen me Sali Berishën dhe Kreshnik Malltezin në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo e akuzon Alibeajn për manipulimin e procesit në Komisionin e Mandateve dhe krijimin e një narrative të urrejtjes ndaj Berishës. Për më tepër, ajo pretendon se Xhaferllari ka mashtruar para Gjykatës Kushtetuese, duke mohuar si bashkëjetesën, ashtu edhe pjesëmarrjen në aktivitete politike.

Kalaja ka dorëzuar prova që sugjerojnë se Xhaferllari dhe Alibeaj janë parë së bashku në qytetin e Vlorës, duke hedhur dyshime mbi aktivitetet e tyre. Ajo kërkon nga SPAK hetimin e të dhënave të celularëve të tyre për të zbuluar të vërtetën.

ADRIANA KALAJA:

Doja të sqaroja publikun që në janar të vitit 2024, pra një vit më parë, ndaj zonjës Xhaferrllari, sipas provave që ne paraqitëm në SPAK, rezultonte se në kundërshtim me detyrën, zonja Xhaferrllari kishte marrë pjesë në një aktivitet politik në kohën kur vula dhe logoja mbahej nga Lulzim Basha.

SPAK vendosi mosfillimin e kësaj çështjeje, duke argumentuar se edhe nëse ka marrë pjesë në këtë aktivitet, kjo nuk përbën një shkelje të rëndë. Gjithashtu, u pranua bashkëjetesa mes këtyre dy subjekteve.

Sot ne kemi paraqitur faktin që të dy këto subjekte nuk e kanë deklaruar këtë bashkëjetesë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit, duke treguar se jemi përballë një vepre të rëndë penale, si falsifikimi, fshehja e të ardhurave dhe përfitimi i interesave të paligjshme.

Ndërkohë, çështja e zotit Berisha dhe zotit Malltezi po shqyrtohej në Gjykatën Kushtetuese. Nga ana e kërkuesve, është kërkuar përjashtimi i zonjës Xhaferrllari nga këto çështje për shkak të bashkëjetesës së saj me zotin Alibeaj. Kjo për shkak se vetë zoti Alibeaj, duke qenë pjesë e Komisionit të Mandateve, jo vetëm që krijoi kuorumin e nevojshëm për marrjen e vendimit në lidhje me autorizimin e kërkuar nga SPAK për zëvendësimin e masës ndaj zotit Berisha, por gjithashtu shprehu hapur një gjuhë urrejtjeje.

Ai manipuloi situatën, duke tejkaluar edhe vetë anëtarët e Partisë Socialiste në këtë komision, kur deklaroi se “Sali Berishës duhet t’i hiqet imuniteti dhe të shkojë përpara ligjit”.
Ndërkohë, zonja Xhaferrllari, përveç se nuk e ka deklaruar bashkëjetesën në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, ka bërë një deklaratë mashtruese përpara Kolegjit të Anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ajo ka mohuar kategorikisht bashkëjetesën me zotin Enkelejd Alibeaj dhe, gjithashtu, ka mohuar pjesëmarrjen e saj në aktivitete politike.
Për publikun, unë do të doja të vendosja në dispozicion fotot e zonjës Xhaferrllari.

Për këtë arsye, i kemi kërkuar SPAK-ut të hetojë edhe në lidhje me të dhënat e celularëve të dy subjekteve që kallëzojmë sot. Sipas të dhënave tona, jo më larg se të dielën, këta dy persona janë parë së bashku në qytetin e Vlorës. Kjo është një shkelje e rëndë e detyrës, ndërkohë që zonja Xhaferrllari ka deklaruar përpara trupës gjykuese të Gjykatës Kushtetuese se nuk ka marrë pjesë në aktivitete politike.