Studentët serbë zhvilluan një tjetër protestë sot në Beograd, duke paralizuar qarkullimin në kryeqytet.
Të mbledhur në kryqëzimin kryesor të Mostarit, ata shfaqën moton e tyre “Ejani në Mostar, nëse keni guxim”, e cila ishte promovuar ditë më parë si thirrje për veprim.
Protesta filloi para Pallatit të Drejtësisë, ku studentëve iu bashkuan edhe akademikë. Fakultetet e Vozhdovcit bllokuan autostradën që lidh këtë zonë me Beogradin e Ri, ndërsa pjesa tjetër e studentëve bllokoi të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse të kryqëzimit të Mostarit. Kjo shkaktoi ndërprerjen e qarkullimit në të gjithë zonën, duke krijuar kaos të plotë.
Protestuesit po kundërshtojnë korrupsionin në radhët e qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiç. Ata kanë theksuar vendosmërinë e tyre për të mos hequr dorë nga kërkesat, përfshirë përcaktimin e përgjegjësisë për një tragjedi në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona dhe u plagosën rëndë dy të tjerë pas shembjes së një stacioni hekurudhor të rindërtuar.
Protesta u shoqërua me fishkëllima, thirrje dhe slogane si “Të gjithë në bllokada”, duke treguar qëndresën e tyre përballë autoriteteve.