Ballina Politika Rama i përgjigjet komentuesit: Së shpejti paketa e dytë mbështetëse për panelet...

Rama i përgjigjet komentuesit: Së shpejti paketa e dytë mbështetëse për panelet diellore për familjarët

11
0

Kryeministri Edi Rama ju përgjigj “Sy më sy” një komentuesi në rrjetet sociale nëse “mund të kenë lehtësira qytetarët të cilët individualisht do të vendosnin panele diellore mbi çatitë e tyre qoftë në pallate apo në banesa”.

Kreu i qeverisë theksoi së vendi jonë është i pari në Rajon për sa i përket vetprodhimit të energjisë diellore.

“Po sigurisht që ka dhe prandaj jemi sot të parët në rajon për vet prodhimin e energjisë diellore nga familjarët dhe bizneset. Prodhojmë 196 megavat katërfishin, Serbisë dhe më shumë se dhjetëfishin e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Së shpejti do të bëhet shpallja e paketës së dytë mbështetëse për panelet diellore për familjarët në banesa dhe do të jetë pa diskutim një sukses sepse siç ndodhi edhe me paketë e parë interesi është i madh dhe faktikisht u shterua gjithë financimi 100%”, u shpreh Rama.

Rama nënvizoi po ashtu se qytetarët shqiptarë dinë të dallojnë mirë atë që bën punë nga ai që prish punë. Kreu i qeverisë theksoi sërish se çmimi i energjisë elektrike është ulur me 10.5% ndërsa shtoi se brenda pak viteve vendi do të fitojë pavarësinë e plotë energjetike.

“Jeta shqiptare reale nuk është jeta e rrjeteve sociale dhe as e atyre që edhe kur ulet 10.5% çmimi i energjisë si askund tjetër, skërmiten dhe zgërdhihen se pse ne quajmë arritje historike. Është jeta e përpjekjeve të jashtëzakonshme për të ecur para. E tillë ka qenë dhe kjo përpjekje për ta kthyer Shqipërinë në një dekade nga një vrimë të zezë në mes të Evropës në sektorin e energjisë, në një vend që për pak vite fiton pavarësinë e plotë energjetike, duke ngritur flamurin e sovranitetin energjetik dhe duke mbuluar 100% të nevojave me prodhim vendas, duke u bërë vend neto eksportues i energjisë”, tha Rama.

Rama shtoi se “një arsye themelore pse unë dhe PS fitojmë, nuk është se populli është budalla por se populli ka më shumë qartësi dhe është më i drejtë në vlerësimin e punës dhe i jep secilit hakun”.