Ballina Ekonomia Banka e Italisë do të zhvillojë sistemin e pagesave të mënjëhershme për...

Banka e Italisë do të zhvillojë sistemin e pagesave të mënjëhershme për Shqipërinë

33
0

Banka e Italisë njoftoi se ka nënshkruar një Letër Synimi (LoI) me bankat qendrore të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi për të krijuar një sistem pagese të menjëhershëm në Ballkanin Perëndimor që do të ndihmojë në integrimin e rajonit me sistemin financiar të BE-së.

Sipas marrëveshjes, Banka e Italisë do të sigurojë infrastrukturën duke ofruar një model të platformës TIPS (TARGET Instant Payment Settlement), të cilën e krijoi dhe e menaxhon në emër të Eurosistemit, autoritetit monetar të zonës së euros.

Maqedonia e Veriut rezervon të drejtën t’i bashkohet nismës në një datë të mëvonshme.

Platforma e re, që pritet të nisë brenda 18 muajve nga fillimi i punës, do të mundësojë pagesa në të gjitha monedhat e vendeve pjesëmarrëse. Pas fazës fillestare të zbatimit, do të zhvillohen funksionalitete shtesë, duke përfshirë një lidhje dypalëshe për shlyerjen e pagesave midis zonës TIPS dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Nisma është miratuar nga Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane.

Shqipëria dhe Mali i Zi ishin vendet e para të Ballkanit Perëndimor që u bënë pjesë e shtrirjes gjeografike të skemave të pagesave të Zonës së vetme të Pagesave në Euro (SEPA) në nëntor. Maqedonia e Veriut aplikoi për anëtarësim në SEPA në korrik.