Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, i ka dërguar KQZ listën e partive parlamentare dhe pozicionimin e tyre politik, duke e rreshtuar PSD e Tom Doshit në opozitë.
Ky qëndrim i kryeparlamentares Spiropali ka sjellë reagimin e PD-së, e cila ka sjellë në vëmendje se 3 deputetët e Tom Doshit kanë votuar gjithnjë pro qeverisë dhe në zgjedhje kanë punuar për PS dhe nuk mund të rreshtohen në krah të PD-së.
“Qytetarët e dinë se me kë është rreshtuar Tom Doshi që nga Tirana dhe deri në Shkodër, që nga 2011-a e deri në 2025-ën. Analistët mund të hapin dokumentacion online të KQZ dhe të shohin se, edhe në letra, aleanca Rama-Doshi është e fiksuar. Elisa e Çmendurirave i di të gjitha këto, por e bën për t’i hyrë në qejf shefit, për të cënuar zgjedhjet e 11 majit, dhe për të ndihmuar Partinë Socialiste me një patericë të radhës”, tha Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Pd, Ivi Kaso.
Sipas PD-së, qëllimi i rreshtimit të PSD-së në krah të opozitës lidhet me procesin e administrimit dhe numërimit të votave në 11 maj.
“Qëllimi është për të grabitur një numërues të opozitës në zgjedhjet e ardhshme dhe për t’ja kaluar Doshit, i cili do të hiqet si një parti e opozitës, por do të militojë, numërojë e zhvasë për mazhorancën e NarkoRamës”, tha Kaso.
Sipas Kodit Zgjedhor, grupet e numërimit të votave përbëhen nga 2 anëtarë të propozuar nga mazhoranca dhe dy nga opozita.
Këta anëtarë ndahen: një numërues e ka PS dhe një numërues PD.
Ndërkohë që dy numëruesit e tjerë caktohen një nga partitë e tjera të mazhorancës dhe një nga partitë e opozitës, me kusht që të kenë 2 ose më shumë mandate.
Nëse PSD e Tom Doshit llogaritet opozitë, atëherë ajo përfiton nga numëruesit që i takon opozitës.