Superylli i muzikës, Beyoncé, ka dhuruar 2.5 milionë dollarë për të ndihmuar komunitetet e prekura nga zjarret masive në zonën e Los Angeles-it. Fondet janë alokuar përmes “LA Fire Relief Fund,” i krijuar nga fondacioni i saj, BeyGOOD.
Sipas një deklarate në Instagram, fondacioni bëri të ditur se paratë do të përdoren për të ndihmuar familjet e zonës Altadena/Pasadena që kanë humbur shtëpitë e tyre, si dhe për të mbështetur kishat dhe qendrat komunitare që po u përgjigjen nevojave emergjente të të prekurve nga zjarret.
Fondacioni BeyGOOD, i themeluar në vitin 2013, është i përkushtuar për drejtësinë ekonomike dhe mbështetjen e programeve që ndihmojnë komunitetet e margjinalizuara dhe me burime të kufizuara.
Dhimbja personale e familjes së Beyoncé është bërë gjithashtu publike, pasi nëna e saj, Tina Knowles, ka treguar se bungalow-i i saj në Malibu u shkatërrua nga flakët. “Ishte vendi im i preferuar, streha ime e shenjtë dhe e lumtur. Tani nuk ekziston më,” shkroi ajo në Instagram. Ajo gjithashtu falënderoi zjarrfikësit që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar sa më shumë njerëz e prona. / bota.al