Një zbulim i jashtëzakonshëm është bërë në provincën Shandong, në Kinën lindore, ku lëngu i gjetur në një enë të lashtë prej bronzi rezultoi alkool i distiluar, duke e shtyrë origjinën e prodhimit të alkoolit të distiluar në Kinë në mbi 3000 vjet më parë.
Lëngu ishte në një enë bronzi të zbuluar në vitin 2010 në rrënojat Daxinzhuang në qytetin Jinan, kryeqendra e Shandong, që daton nga fundi i dinastisë Shang (1600 p.e.s-1046 p.e.s). Arkeologëve iu deshën vite për të hapur enën, e cila ishte e vulosur nga ndryshku, shkruan “Xinhua”.
Një mostër e lëngut u dërgua në Laboratorin e Përbashkët Ndërkombëtar të Kërkimit të Arkeologjisë Mjedisore dhe Sociale në Universitetin Shandong për testim, që konfirmoi se përmbante etanol.
Sipas Wu Meng, studiues i asociuar në laboratorin që drejtoi kërkimin, vera e frutave dhe vera e orizit, e bërë përmes fermentimit pa distilim, përmbajnë sheqer dhe proteina përveç etanolit. Por sheqeri dhe proteina nuk u gjetën në mostër këtë herë, që do të thotë se lëngu ishte verë e distiluar.
“Origjina e verës së distiluar të Kinës ka qenë gjithmonë një temë e rëndësishme në studimin e historisë së shkencës dhe teknologjisë së vendit dhe kulturës së verës”,- tha Wu.
Arkeologët kanë zbuluar pajisje distilimi nga dinastia Han (202 p.e.s-220) në shumë vende, si dhe pije të distiluara nga e njëjta periudhë.
Gjetjet e reja sugjeruan se historia e prodhimit të pijeve të distiluara në Kinë mund të datojë 1000 vjet më herët sesa mendohej më parë.