Dhëndri i ish-kryeministrit kërkoi në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e vendimeve për arrest me burg dhe arrest shtëpie.
Kërkesa e tij është refuzuar nga “Kushtetuesja” e cila ka dalë në një njoftim të gjatë ku ka ka analizuar kërkesat e Jamarber Malltezit, i cili pretendonte se masat e sigurimit ndaj tij, përfshirë arrestin në shtëpi, kanë cenuar të drejtat e tij të lirisë personale dhe jetës private.
Malltezi argumentoi se vendimet e gjykatave, të cilat i ndalonin komunikimin me individë të tjerë përveç atyre që bashkëjetonin me të, shkelin të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Gjykata vlerësoi se, në përputhje me nenin 73 të ligjit nr. 8577/2000, pretendimi i Malltezit për cenimin e parimit të proporcionalitetit u hodh poshtë pasi nuk u formua shumica prej pesë gjyqtarësh për këtë çështje.
Gjithashtu, përsa i përket pretendimit të cenimit të së drejtës për jetën private, Gjykata theksoi se masat ndaj Malltezit, të cilat përfshinin ndalimin e kontakteve me mediat dhe individë të tjerë, ishin në përputhje me ligjin.
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, kufizimet e vendosura për komunikimin e tij ishin të bazuara në nenin 237 të Kodit të Procedurës Penale, i cili lejon gjykatat të përcaktojnë dhe mbikëqyrin ekzekutimin e masave të tilla.
Gjykata Kushtetuese përfundoi se nuk kishte shkelje të të drejtave kushtetuese të Malltezit dhe mbajti në fuqi masat e sigurisë të vendosura nga gjykatat më të ulëta.