Nga Luljeta Progni
Rrëfimi i Pjetër Arbnorit për jetën në burg dhe si i ka njohur zyrtarët e lartë të regjimit që u dënuan nga diktatori si grupe armiqësore: Merrnin me radhë edhe veprat e Leninit e të Stalinit dhe më në fund nuk i gjenin gabimet. Mbas nja 10 vjetësh burg që kryenin, u mbushej mendja se kanë qenë kundërshtarë të Enver Hoxhës dhe kanë luftuar për demokraci
Në vitet e para të pluralizmit politik në Shqipëri, diskutimet mbi diktaturën dhe figurën e Enver Hoxhës ishin të shpeshta dhe të nxehta. Pjesë e këtyre debateve bëhej her pas here edhe Pjetër Arbnori, figura emblematike e mbijetesës prej burgjeve të diktaturës. Ka rrëfyer shpesh për jetën e tij në burgjet e diktaturës. Një nga aspektet më tronditëse të rrëfimeve të Arbnorit është se si ish-zyrtarët e regjimit, pasi përfundonin në burg, pas periudhash të gjata hetuesie e torturash, sërish ata kalonin ditët e ndoshta vite të burgut, duke studiuar veprat e Enver Hoxhës, Leninit dhe Stalinit. I shletonin me durim faqet e diktaturës ku kishin qëne edhe vetë pjesë, si një vetëdënim për të zbuluar se ku kishin gabuar, për të gjetur ndonjë “faj” të fshehur që mund të justifikonte dënimin e tyre.
Arbnori përshkruan se si silleshin ata kur sapo mbërrinin brenda dyerve të burgut dhe si kominikonin me të burgosur që gjenin aty: “Kur vinin në burg, ata thoshin: ‘Ju do të keni bërë diçka, po unë s’kam bërë asgjë.’ Pas një periudhe studimi të thelluar të veprave të Enver Hoxhës dhe të shkrimeve të tjera ideologjike, ata nuk arrinin të gjenin ndonjë gabim në veprimet e tyre, por pas dhjetë vjetësh burg, më pas fillonin të besonin se kishin luftuar për demokraci dhe kundër diktaturës”. Ky rrëfim i Arbnorit, ilustron se sa larg kishte shkuar truri i regjimit në dehumanizimin dhe manipulimin e individëve, duke i bërë ata të dyshonin për veprimet e tyre.
Një rrëfim me detaje therëse, më stilin unik të Arbnorit, e sjellim në këtë dosies të radhës në gazetën Tema.
“Unë kam jetuar gjatë në burg dhe kam parë fshatarë e punëtorë të thjeshtë që ishin dënuar si kriminelë, si spiunë e ku di unë se çfarë. Mbaj mend një Karafil Kalaci, një fshatar çam plak, i cili vetëm sepse i kishte thënë kaut duke e përkëdhelur “e more ka, si të është bërë qafa ty më është bërë zemra mua” e kishin dënuar me 10 vjet burg si armik e tradhtar i vendit. Mbaj mend një plak tjetër, Resul Tarelli, i cili gjithë jetën kishte ëndërruar që të blinte një lopë. Kur e bleu lopën, e arrestuan, i thanë se ke bërë komplot për vrasjen e Hrushovit, e mbajtën shumë kohë në hetuesi, e detyruan të thotë që do të shisja lopën që të bleja një çifte për të vrarë Hrushovin dhe për këtë e dënuan, nuk e mbaj mend, me 15, 20 apo 25 vjet burg. Xha Resuli vdiq në burg si kriminel, si terrorist, si tradhtar, si agjent.
Cilët janë pra kriminelët? Ne nuk kërkojmë që të rehabilitohen as kriminelët e 4 shkurtit 1944, as të 27 shkurtit 1951, ata që vranë me dhjetëra e dhjetëra njerëz për hedhjen e bombës në legatën sovjetike, as masakruesit e kampit famëkeq të Spaçit më 23 maj 1973.
Çuditem për ngurrimet e djeshme të disa deputetëve. Pa përmendur Enverin ata mbrojnë enverizmin dhe më duket sikur mbrojnë veten e vet. Unë them që po të jetonte Enver Hoxha, shumë prej këtyre deputetëve të nderuar që janë në këtë sallë dhe që mbrojnë këtë vijë, do t’u kishte ardhur radha, do t’i kishte kapur prej veshi, do t’u kishte përdredhur qafën dhe ata, me shumicë, do të kishin pranuar se kanë qenë agjentë, se kanë qenë kriminelë, se kanë qenë spiunë, ashtu sikurse shumë shokë të tyre me të cilët kam jetuar në burgjet e Burrelit.
Komunizmi ka vetëm punë radhe. Atyre që s’u kishte ardhur radha thoshin: “Ata që janë dënuar kanë pasur faj”. Po kur vinin në burg thoshin: “Ju do të keni bërë diçka, po unë s’kam bërë asgjë”. Dhe pastaj merrnin e studionin veprat e Enver Hoxhës me radhë një për një për të zbuluar se ku ka qenë ndonjë gabim i tyre ose për t’i shfajësuar. Merrnin me radhë veprat e Leninit e të Stalinit dhe më në fund nuk i gjenin gabimet. Mbas nja 10 vjetësh burg që kryenin, u mbushej mendja se kanë qenë kundërshtarë të Enver Hoxhës dhe kanë luftuar për demokraci.