Partia Demokratike ka bërë të ditur se më 17 janar, ditë e premte, në orën 11:00, do të zhvillohet një protestë tjetër përpara ndërtesës së Bashkisë Tiranë, kundër kryetarit aktual Erion Veliaj.
Kjo do të jetë protesta e 42-të e organizuar në kryeqytet nga opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.
Belind Këlliçi, drejtuesi politik i PD-së në Tiranë, e përshkroi këtë protestë si një përballje simbolike përpara “skenës së krimit më të madh financiar” që ka përjetuar qyteti. Në një reagim në rrjetet sociale, ai theksoi se protesta vjen në një moment kritik, pas sekuestrimit nga BKH të një sërë dokumentesh, kontratash dhe veprash arti me vlera të konsiderueshme, që u gjetën në banesën e Veliajt, si dhe përfshirjes së tij në çështjen e inceneratorit të Tiranës.
“Shihemi të premten në protestë! Pas veprimeve të djeshme të BKH, që sekuestroi materiale të rëndësishme në banesën e kryebashkiakut, përfshirë dokumente, kontrata dhe piktura me vlera të larta, ne nuk do të ndalemi. Veliaj vazhdon të asgjësojë provat dhe të grabisë qytetarët, ndërsa përdor zyrën që e ka kthyer në mjet për pasurim personal,” shkroi Këlliçi.
Ai theksoi se beteja kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të pushtetit nuk do të ndalet, duke ftuar qytetarët që të marrin pjesë masivisht në këtë tubim. “Është koha të tregojmë se askush nuk është mbi ligjin. Bashkë do t’ia dalim!” përfundoi ai.