Ballina Kulturë Studjuesi mes dy forcave të filozofisë dhe të poezisë shpirtërore

Studjuesi mes dy forcave të filozofisë dhe të poezisë shpirtërore

0
8

Nga Fatmir Minguli

Vështrimi mbi librin e Mark Zadesë “Forca e filozofisë dhe e vërteta e shpirtit” botime Shkodra, 2024, Shkodër)

Kurrë të mos mbyllen portat e zemrës dhe sytë e mendjes./Anonim

Libri i ri i akademikut Mark Zadeja me titullin  “Forca e filozofisë dhe e vërteta e shpirtit” vjen mbas botimit të librit “Forca e mendimit” ku parashtrohen shumë ide të rëndësishme të cilat vinë të fuqishme në botimin e këtij libri të ri. Por nëse në librin “Forca e mendimit” Mark Zadeja trajton shkencërisht nevojën e zhvillimit të mendimit të avancuar, në librin “Forca e filozofisë dhe e vërteta e shpirtit” kemi tabllo të reja ku shpalosen idetë filozofike të njerëzve të shquar europianë, kryesisht gjermanë ndër shekuj dhe një përqasje me kohën ku jetojmë. Gjithashtu në këtë libër trajtohet e vërteta e shpirtit si një domosdoshmëri imediate për ne shqiptarët.

Libri “Forca e filozofisë dhe e vërteta e shpirtit” hapet me një parathënie si një prezantim dinjitoz për çka Mark Zadeja ka sjellë në faqet e këtij libri. Autorë të parathënies janë Anelore Euler, profesore e filozofisë dhe eksperte e gjermanistikës dhe aktualisht konsulente e metodologjisë së krahasuar të filozofisë klasike në Bavari dhe Albert Gjoka, përkthyes e studjues.

Ja se si shprehen ata në këtë parathënie:

“ Duke marrë parasysh  punën studimore të doktor Zadesë dhe pasionin për të vërtetën  ai ka patur merita të shumta në realizimin e tyre, për shembull përveç njohjeve  në vendin e tij  nga individë, shoqata apo institucione , doktor Zadeja është sot në fondet  e bibliotekave më prestigjioze të veriut të Europës…”

Mark Zadeja këtë me këtë libër të ri filozofik  ka çuar më tej idetë e tij filozofike që i parashtroi që në librin emblemë “Qyteti i vuajtjeve”. Janë këto ide që me të drejtë librat e tij janë në fondin e Biblotekës Kombëtare Gjermane siç janë regjistrur së fundmi tre librat si “Vogëlushja”, “Ndëshkimi i spiunit” dhe “Forca e filozofisë dhe e vërteta e shpirtit”. Ndërkohë tre librat e tjerë janë depozituar po në këtë biblotekë.

Foto të dokumetave për depozitimin e tre librave të Mark Zadesë ne Biblotekën Gjermane.

Akademik Mark Zadeja është  metodist në kërkim të mendimit, një shkencëtar në kërkime drejt infinitit sepse çdo përpjekje e tij me baza filozofike lidh teorinë me eksperiencat e tij vetjake që ai i kalon herë në Shqipëri, herë në Gjermani e herë në vend të tjera të botës. Vuajtjet  e popullit të tij janë vatra ndezëse  e mendimit permanent duke krijuar në personin e tij një portret kozmopolit ku gërshetohen angazhimet në problemet humaniste sociale edhe jashtë Shqipërisë.

Libri “Forca e filozofisë dhe e vërteta e shpirtit” ndahet në dy pjesë ku pjesa e parë është një traktat i fuqishëm filozofie dhe pjesa e dytë është një përshpirtje madhore ku filozofia dhe jeta shqiptare ndërthuren pazgjidhshmërisht si botëkuptim.

Akademik Mark Zadeja

Kuptohet fare lehtë se akademik Mark Zadeja në këtë pjesë i le një vend nderi teorisë së Imanuel Kantit duke e sjellë atë në të gjitha shkallët e lirisë në jetën e tij. Mark Zadeja është i pari studjues së portretizon Kantin  si asnjë tjetër, jo vetëm për botën e tij shkencore por dhe për jetën e tij e me këtë më vjen ndër mend Fan Noli që shkruajti jetën e Bethovenit në librin e tij “Bethoveni dhe revolucioni frëng”. Ai ka sjellë Kantin e vërtetë jashtë zbukurimeve të panevojshme.

Mark Zadeja duke zbërthyer hollësishëm  veprën e Kantit për kritikën e arsyes së kulluar, trajton dhe veprimet negative të autoriteteve universitarë që nuk e emëronin Kantin në drejtime të dhënies mësim në Koningsberg.

Akademik Mark Zadeja paraqet një rrrugëtim të jetës filozofike duke filluasr që nga Aristoteli dhe Platoni për të cilët Kanti ka pikpamjet e tij. Rrugëtimi vazhdon me shumë studjues kryesisht të filozofisë gjermane ku ai jep rëndësi edhe Edmund Husserl-it  që e trajton ne korrentin fenomenologik nga idealizmi ekzistencialist. Prandaj ai më tej trajton Kirkegardin e Sartrin si dhe lëkundjet e tyre.

Mark Zadeja ka një rrrjedhë filozofike të jetës të shoqëruar me të vërtetat e shpirtit të njeriut prandaj ai paralelizon me jetën e vetë Kantit. Vlerësimi i Mark Zadesë për Kantin, është një përkushtim nga të paktit në studimet bashkëkohore  filozofike europiane që trajton meritat e Kantit në universin  filozofik i cili përmblodhi dijet e Descartes, Leibniz, Spinoza, Hobess, Locke dhe Hume të lidhura me objektivitetin e dijes dhe moralit.

Më bën përshtypje njohja që akademik Mark Zadeja ka për Michel  de Montaigne për të cilin  shkruan:” Esetë e tij, të cilat lanë një gjurmë  domethënëse te Kanti, përbëjnë një qëndrim të qartë  në të cilën lëvdimi  i qetësisë së jetës  dhe virtytit  integrohet  me skepticizmin. “

Edhe studjuesi Gilles Deleuze në librin e tij “Filozofia kritike e Kantit” thotë se Kanti e përkufizon filozofinë si “shkenca e raportit të çdo njohjeje  me qëllimet thelbësore të arsyes njerëzore.” Dhe nuk mbetet mbrapa as George Steiner në librin “Një ide e qartë për Europën” kur thotë: “ Ideali sokratik  i jetës së shqyrtuar, kërkimi platonik  për siguri transhendente, hetimet aristoteliane në mardhëniet problematike  midis fjalës dhe botës, kanë përcaktuar  rrugën e marrë nga Aqiunas dhe Descartes, nga Kanti dhe nga Heidegger.”

Në shumë faqe të librit ndihet edhe influenca teorike mbi ekzistencën e Zotit e këtu mjafton të sjell mendimin e autorit që në faqen e parë të këtij libri që po analizoj:” Mendimi, kjo dhunti  e paçmueshme  e Zotit dhe e natyrës është padyshim kapitali  më i çmueshëm  i krijesës njerëzore.”

Pjesa e dytë e librit “Forca e filozofisë dhe e vërteta e shpirtit” është një zhvillim i praktikës filozofike  e kombinuar me poezi  të vetë autorit të cilat  regëtijnë që në titull si “Shëtitje e shpirtit”, “ E vërteta nuk vdes kurrë”,” Misteri i besimit”,” Mendimi i lirë i individit”, etj.

Kjo pjesë është një pamflet tronditës mbi jetën e shqiptarëve në diktaturën moniste, është një thirrje bashkëkohore për një “Pavarësi efektive solide” e cila kur është e vërtetë, ajo këmbëngul në vërtetësinë e saj. Jo më kot ai shkruan  poezinë “Mërzitje”, të cilën po e citoj të plotë:

Ndryshim i rrejshëm, realiet kohe,

Fantgazi e realizmit socialist,

Shitje mendunie, karreriste…

“Unitet” i mbrapshtë, propagandë djallëzore…

Mëzitja kalonte çdo kufi.

 

Edhe pse jemi në vitet e një shekulli të ri, Mark Zadeja me këtë libër është i bindur se  është koha ajo që provon si progresin e gjithçka tjetër që vjen me shtimin e diturisë. Ai është i bindur në thënien e John Locke se “ Njeriu udhëhiqet nga arsyeja dhe jo nga instikti”.

Mark Zadeja ndërhyn në botën e sotme shqiptare si një operator kirurg  në trupin e psikologjisë  së besimit duke e trajtuasr hollësisht  atë si teologji moderne  në përcaktimin fetar që shpreh hyjnoren  të aprovuar sinqerisht nga shpirti i njeriut që bazohet në fakte. Jo më kot ai analizon Dostojevskin si filozof që pranon lirinë e shpirtit. Këtë Mark Zadeja e ka shprehur edhe në librin në proçes botimi “Përtej mendimit” ku thotë se liria është triumf i vlerës monumentale shpirtërore. Ai madje nuk përton të analizojë aspekte të besimeve të ndryshme fetare pa dhënë preferenca por përmend me respekt Jezus Krishtin, Muhametin, Budën, Moisiun, Jeremiun, Brahmën.

Poezia “Shpirti” është një konfirmim:

Shpirti m’dha n’udhëtimin e tij,

Shumë përvojë dhe afrim…

M’dha besim, rrugën, jetën,

Të kem në shpirt gjithnji të vërtetën

Të dua atë gjithnji pambarim..

Besim te Zoti asht fati im.”

 

Ai për fqinjin e tij në Shkodër Atë  Pjetër Meshkalla bën portretin e tij në një poezi kushtuar atij si martir dhe citon thënien e tij”Liria, burim i shpirtit, do të ndriçojë për jetë në vendin tonë”.

Pjesa e dytë është një shtjellim i përsosur i filozofisë së arsyes së kulluar në botën shqiptare  duke theksuar se “Eshtë realiteti që prodhon mrekullinë”, një konkluzion që autori e nxjerr nga  përvoja e gjatë e jetës së tij  duke udhëtuar në botën e mendimit shqiptar. Ky libër është përkthyer në gjuhën gjermane!/bulevard news