Ballina Ekonomia Ulja e çmimit të energjisë, administratori i OSHEE: Familjet kursejnë deri në...

Ulja e çmimit të energjisë, administratori i OSHEE: Familjet kursejnë deri në 100 euro në vit

11
0

Duke nisur nga 1 shkurti 2025 qytetarët do të paguajnë një çmim më të ulët të energjisë elektrike me 8.5 lekë kWh. Po si do të ndikojë kjo në buxhetin e familjeve shqiptare?

Enea Karakaçi, administrator i OSHEE, tha se një familje që konsumon deri në 700 kilovat orë në muaj, kursimi arrin deri në 840 lekë në muaj, ose rreth 100 euro në vit. Karakaçi theksoi se kjo është një përfitim i jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh se asnjë vend në rajon ose Europë nuk ka zbatuar ulje të çmimit të energjisë në këto kushte krize. Kjo ulje ka një efekt financiar prej 31 milionë eurosh për OSHEE në vit.

“Qytetari fiton një ulje prej 10.5%. Nëse një familje konsumon deri në 700 kilovat kursimi në muaj është rreth 840 lekë të reja dhe në vit e kemi një përftim rreth 100 euro. Nuk ka sot një vend të rajonit apo Europës që të shkojë në ulje të çmimit të energjisë në këtë kohë krize.  Ne do vijojmë me investimet dhe rritjen e performancës që cilësia e furnizimit me energji të jetë e lartë dhe ulja të mos pengojë kompaninë të vijojë misionin e saj. Në një vit efekti financiar është 31 milionë euro për OSHEE”, u shpreh Karakaçi në një intervistë për “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH.     

Karakaçi theksoi se kjo masë do të jetë e qëndrueshme në kohë dhe se kjo ulje erdhi si pasojë e disa faktorëve që lidhen me performancën e sistemit energjetik në vend.  Ai shpjegoi se pas një viti të suksesshëm financiar, OSHEE arriti një ulje të humbjeve të energjisë në nivelin 17.93%, një rritje të arkëtimeve në 100.5% dhe  kompania ka arritur një fitim prej 72 milionë eurosh, faktorë që çuan në marrjen e vendimit të uljes së çmimit të energjisë.

“Energjia si çdo produkt ka një çmim të shtrenjtë, por ne vijmë nga një dekadë që ka çmimi ka qenë i konsoliduar 9.5 lekë. Kjo ka krijuar qëndrueshmëri për sistemin. Në 2024 vijmë pas disa vitesh shumë të mira financiare, ku së pari kemi bërë uljen e humbjeve të energjisë në sistem 17.93 % dhe kemi një rritje të arkëtimeve në nivelin 100.5 % dhe kjo ka sjellë një fitim të kompanisë tonë në nivelin 72 milionë euro. Patjetër ne jemi një kompani publike shtetërore dhe po të ishim një kompani private këtë fitim ne do shpërndanim dividentin ndaj ortakeve. Duke qene se jemi kompani shtetërore dhe i gjithë sistemi menaxhohet nga Ministria e Energjisë dhe vendosëm që pas një performance shumë të mirë të vitit 2024 ishte koha të shpërndanim këtë te qytetarët. Një përllogaritje është bërë mbi 6 muaj më parë dhe u vendos ulja e çmimit. Kjo ulje duhet të jetë i qëndrueshëm në kohë dhe pas 5 muajsh të themi që nuk ia dalim dot”, tha ai.

Pavarësisht uljes së çmimit, ai siguroi se OSHEE do të vazhdojë të investojë dhe të përmirësojë cilësinë e furnizimit me energji, duke garantuar që ulja e çmimit të mos ndikojë në performancën e kompanisë.