Nga Vaso Papaj, shkrimtar dhe poet
Sapo arrita në fund të librit dhe desha të sjell këtu përshtypjet e mia të një vëllimi poetik shumëdimensional pa e lënë të ftohet e të zërë vend në ato shirita celuloidë të kujtesës stivosur në dhomat e kujtesës së mëndjes..
Nuk ka qenë e lehtë. Të lexosh dhe të nënvizosh, të ndalesh dhe të mbash shënime. Të kthehesh të rilexosh dhe të meditosh. Madje të dialogosh me vetem gjer edhe për titullin “Aromë gjethi” që për mendimin tim do të ishte edhe më i bukur “Melhem gjethi”.
Pse e them këtë?… Se më ndihmoi në shumë raste të njihesha me një botë që nuk e kisha njohur ashtu, gjer në asht. Madje, ajo kohë leximi, pati edhe një efekt shërues këto ditë që kalojmë, përballë dallgësh gri. E pra këtë efekt pak e kam gjetur këto kohë në libra të tjerë. Me dashurinë që përçon, me mirësinë që shfaq në çdo varg, me mendimet prej historiani dhe përvojën e një qytetari model në çdo faqe, më shëroi ca lëkundje pësuar kohëve të fundit, ku s’po shkoja përpara me librin që kam në dorë dhe në mendje. Ndaj, kur arrita në faqen e fundit, m’u forcua idea se vëllimi i tij ishte shërues dhe qetësues me një impakt shumë më të madh se një aromë.
Ç’rrugë të bukur kam përshkruar. Një libër gjithëpërfshirës që prek shtatë nga problematikat më të rëndësishme të kohës. Për këtë vlen dhe duhet poezia. Miku im e nis rrugëtimin e tij me ciklin që i kushtohet familjes, “Buqetë për familjen”, përgjigje kjo elegante globalistëve kudo që ndodhen, që po punojnë ta çojnë atë në zgrip të ekzistencës. Në këtë cikël shquhen e lenë mbresa dhe emocione të thella poezitë: Dita e parë e shkollës… Etyde fëmijërije… Ndarja… Shtatë vjet pa tim bir, Arbenin… Loti dhe flutura… Pasuritë e mia… Në shoqëri me diellin… Rrudhat e babait… Qeleshja e gjyshit…
Me këtë rast desha të nënvizojë mjeshtërinë e vargut të vështirë gjashtërrokësh me të cilin poeti shpreh trishtimin e ndarjes te poezia “Ndarja”. Vini re:
Buzëqeshe hidhur,
Atë çast që ike.
Me shikimin tënd,
Dritën time fike.
Dhe po aty i mjaftojnë vetëm dy fjalë me një shprehje tabani, të kërkuar dhe të gjetur atje: M’i thave gëzimet…
Të tjera vargje të mrekullueshme gjejmë edhe te poezia: “Loti dhe flutura” ku në mënyrë metaforike shprehet dhimbja e madhe për humbjen e djalit:
E sheh flutura pikëllimin,
Me flatra, më bën freski.
Më ter lotin e largon trishtimin
Dhe ikën, më lë në vetmi.
Apo trajtimi aq bukur dhe aq prekës me figurën e qeleshes të dashurisë për të parin e familjes dhe të traditës te poezia “Qeleshja e gjyshit”:
Vërtet gjyshi nuk është më,
Por imazhi i qeleshes së bardhë,
Mbeti tek unë për gjithnjë,
Si mosndarje ngarkuar me mall.
Më tej vazhdon me ciklin “Bukuritë e vendlindjes” cikël që e rendit autorin tek poetët e shquar të rilindjes kombëtare, të cilët
me poezitë e tyre të këtij lloji ngritën në piedestal dashurinë përatdheun, edhe pse ato i përshkon trishtimi i braktisjes. Tek i lexoja këto poezi, më është dukur se poeti me vargjet e tij i këshillon banorët e larguar mos t’i harrojnë kurrë ato troje. Shquhen në këtë cikël poezitë: Motive vendlindje… Mëngjesi në fshatin tim… Qyteti im…
S’rri dot pa përmendur maksimën që sjell autori te poezia “Motive vendlindje”: Ngopem me vendlindje.
Një stacion tjetër që s’kish sesi t’i mungonte rrugëtimit tim dhe shijes fine të autorit ishte dhe cikli, “Freski natyre”, ku poeti shfaqet si njohës i mirë i krahinës së Gramshit dhe i fshatrave të saj. Na ushqen me bukurinë e tokës dhe të pyllit,me freskinë e lumit dhe përroit, me ajërin e pastër të shpateve të maleve dhe përsëri me trishtimin e braktisjes por edhe me gëzimin që ndjen pranë detit, në Durrës dhe Golem. Spikatin në këtë cikël poezitë: Rrugë e vjetër… Aromë gjethi… Mirënjohje nëne… Nderim për Durrësin… Fund vjeshte…
Një tjetër cikël që poeti e trajton me shume kujdes është “Motive lavdie” ku përmes vargjesh sjell historin e lashtë po dhe të re të atdheut tonë nga ilirët me mbretin Gent gjer në ditët tona me poezitë ku spikasin krenaria dhe vlera e lirisë. E gjykoj këtë cikës si produkt i të qenin të autorit edhe studius i historisë, ku veçanërisht vepra e tij kushtuar jetës dhe aktivitetit të Riza Kishtes i ka shtuar atij kontribute dhe vlera maksimale. Shquhen këtu poezitë: Skënderbeu… Takim me Naimin… Korabi i plagosur… Madhështia e Lirisë…
Poezia “Takim me Naimin” merr vlera maksimale ideore, atdhetare po edhe artistike. Një intelektual i vertetë në kohën e sotme s’ka sesi mos të takohet me Naimin dhe të shtrëngojë fort dhe të bëjë përpjekje t’i zbatoj ato ide të rilindjes sonë kombëtare. Përdorimi i gjuhës dhe i shprehjeve nga poema e Naimit, ia shton vlerën poezisë. Pa mëdyshje, kjo poezi bashkëkohore duhet të përfsihet në programet e shkollës dhe të mësohet përmendësh nga brezi i ri. Shikoni: “lisat e gjatë”, “fushat me lule”, “gjuhën e ëmbël”, “Shqipërinë, të bukur e zonjë”, “aspak të dlirë”, “nuk fik qirinë”.
Një pëllumb më solli ftesë për në Përmet,
Nisur nga Naimi, për te miqtë e vet.
U takuam rrugës, atje, te “lisat e gjatë”
Në “fushat me lule”, zgjuar që me natë.
Se, ç’shikoj me sy, nuk e duroj dot,
Zemra më pëlcet, syri pikon lot!
Nuk e shoh gjëkundi, Shqipërinë tonë,
Siç e kam shpresuar, të bukur e zonjë!
Dhe pën gjuhën e ëmbël, nuk ndihem mirë,
Kur e shoh shtrënguar e aspak të dlirë.
Thuaja dhe shokëve, ata le ta dinë,
Për atë rri zgjuar unë e nuk fik qirinë.
Plot vlerë janë dhe vargjet lapidare nga poezia kushtuar heroinës “Ylvete Mentor Humolli”:
Liria që u fitua me kaq gjak,
Do të rrojë për jetë bajrak më bajrak.
Dhe po e dhunuan, edhe po e nganë,
Do ndrijë mbi Kosovë, si diell dhe si hanë.
Dhe pas kësaj, s’ka sesi të mos sjell këtu ca vargje të tjera nga poezia “Madhështia e lirisë”
Liria nuk matet me asgjë,
Ajo peshohet vetëm me Liri.
Edhe kur mos mbetet asnjë,
Do lindin të tjerë, përt’u bërë fli.
Nënloket trime kosovare,
Dhuruan shumë djem për lirinë.
Për jetë do të ndihen krenare,
Se lirisë i dhanë pavdekësinë.
Veçanërisht më ka pëlqyer qëndrimi ideo-emocional i poetit në ciklin bashkëkohor “Koha jonë”. Përgëzimet e mia maksimale ka poeti për këtë cikël. I ndjeshëm ndaj çdo historie që vëren rrotull, i kujdesshëm, i ekuilibruar dhe mbi gjithçka, i vërtetë dhe me një vision shumëdimensional në të gjitha krijimet. Jo vetëm konstatues, por edhe largpamës për zgjidhje. Kjo është kryesorja. Nuk shlyhen lehtë mbresat tek lexon në këtë cikël poezi të tilla si: Mirë e keq… Kafe që të ngec në fyt… S’ka faj pasqyra… Sorkadhja e bukur… Të dua… Buzëqesh… Nënat tona… Festë në Tomorr… Soleil!… Ngjarje me autokton…
E mira dhe e keqja e një kohe, lere pastaj si kategori filozofike dhe edukuese në breza. Shkurt, qartë dhe bukur vargjet e poetit nga poezia “Mirë e keq”
E, nëse nuk dallojmë,
Ç’është mirë e ç’është keq.
Kështu do të shkojmë,
Dreq e më dreq.
Unë këmbëngul që shumë nga poezitë e këtij vëllimi duhet të shihen me kujdes nga anëtarët e komisionit të përgatitjes së programeve për shkollat e niveleve të ndryshme. Vargjet e më poshtëme mendoj se i kanë “të gjitha letrat kredenciale” (të besueshme) për t’u renditur në librat e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Ne s’duhet të harrojmë se si një vend i vogël shumë leht mund të na mbulojë për të na shuar propaganda globaliste. Ndaj, mendoj se vargje të tille që i kanë të gjitha brenda duhet të merren si një yll polar. Të na tregojnë udhën nga duhet shkuar. Më poshtë ju sjell ca vargje nga poezia “Festë në Tommorr”:
Në Tomorr, më njëzet gusht,
Zbresin gjithë perënditë.
Takon atje, Muhamet e Krisht,
Bisedon me pellazgjitë.
Mbajnë iso dete, fusha e male,
Hedhin valle lisa, kroje e sorkadhe.
Dhe si gjithmon, me dollinë e parë,
Naimi me Çajupin, na bëjnë krenarë
Një tjetër poezi lapidare që duhet gdhendur nëpër muret e qyteteve tona, e gjej po në këtë cikël: “Të dua!”
Togfjalëshi “Të dua”
I ka të gjitha mirësitë.
Aty është Perëndia,
Aty janë bukuritë.
Porse, për çudi,
Shumë nuk e pëdorin.
Si pleq e fëmi,
Gojën pak e lodhin.
S’ka sesi që një poet si Meçani të botojë një vëllim poetik pa i bashkëngjitur atij temën e ditës, dhimbjen e madhe, hemorragjinë që ka pësuar e po pëson çdo ditë vendi, kurbetin. Ndaj edhe ky libër e ka si pjesë të tij ciklin që trajton këtë plagë të madhe të shoqërisë tonë me titullin “Lotë kurbeti”. Gjithçka këtu është e dhimbëshme, e trishtë, reflektuese. Emocion i vërtetë. Veçojmë poezitë: Mikes që s’u kthye… Braktisje… Dera e komshiut… Dy miq të mirë në pallatin tim…
Po ju sjell këtu dy poezi të shkurtëra pa koment. Komentin e kanë brenda. Kjo është aftësia e autorit.
“Mikes që s’u kthye”
Duke pirë kafe,
Sytë atje më rrinë.
Mendoj refugjatët,
Që ikin e s’vinë.
Njëra nga pulëbardhat
Më shoqëroi filxhanë.
Shpirti i mikes sime,
Që, më nuk u pamë.
Me lot’ e përcolla,
Kur iku trageti.
Qava dhe vajtova, (Vini re: Edhe qave, edhe vajtove…)
S’mësova, ku mbeti.
Dhe: ”Dera e komshiut”
Iku komshiu,
Diku nëpër botë.
Kyçin i vu derës,
Në dritare lot.
Me fëmijë të vegjël,
Të rritur, të moshuar,
Dikush vdiq rrugës,
Të gjithë të harruar.
Dhe në fund cikli “Zëri i poetit”, ku autori analizon bukur, me fjalë të zgjedhura, rolin e poezisë dhe të poetit në edukimin e brezave dhe forcimin e ndërgjegjes kombëtare të një shoqërie të tërë. Shquhen këtu poezi të tilla si: Poezia… Sprovë moderne… Alienët, lexuesit tanë. Sigurisht e para është e para. “Poezia zbret nga qielli”, thotë autori. “Është ndjenjë që dhëmb, ritëm që fluturon, lind nga magjia, vetëm qiejve u dorëzohet”… S’ka më bukur. Unë e falenderoj shumë për këtë veshje që i bën asaj. Po s’mund të rri pa nënvizuar edhe guximin dhe sinqeritetin e tij sa i takon dy poezive të fundit. Po i sjell ashtu si i ka sjell vetë autori, “lakuriq”, përmes një ironie e sarkazme fine. T’a kuptojë secili përballjen dhe qëndrimin e tij ndaj “sprovës moderne” dhe ndaj krizës së sotme, mungesës gjithnjë e më të shumtë të lexuesve që tashmë janë kthyer në “alienët.
Sprovë moderne
Po provoj dhe unë të shkruaj si modern.
Të harlisem pa mend, në tokë, qiell dhe dete.
Për të kalëruar, një peshk fluturues do të kem
Dhe mbi shpinë rruzullin, se do ta marrë me vete.
Mes yjesh të dukshëm e të padukshëm,
Në hapësirën qiellore do ta shëtisë,
Ku qëndrojnë yjet e bukur e të frikshëm
E rruzulli ynë s’bie në sy, në lëviz apo s’lëviz.
Pranë detit, t’i them rruzullit: mos ki frikë,
Afrohu, ngrohu e puthu me të.
Po nuk të pëlqeu këtu me perënditë,
Kthehemi përsëri, atje ku rrimë gjithnjë.
Pastaj varur si atlet, në cep të hënës,
Të kërcej valle me ritmin e pogonishtes,
Të shtroj drekë për të gëzuar yjet e natës,
Që vijnë krushq nga fisi i Afërditës.
Se një vajzë e bukur, stërmbesë e Lei Fenit,
Me pasardhësin e Napoleonit do të martohet.
E unë do të ngre dolli me stërnipin e Skënderbeut,
Në një botë të përzier që mund të trashëgohet.
Alienët, lexuesit tanë
Erdhën
Alienët!
Ju nuk i njihni,
Vetëm dëgjuar i keni.
I kam pranë, ndaj jam me fat,
Se i takoj, pi kafe e flas me ta, përditë.
Kanë zbritur nga qielli me detyrë, enkas për ne,
Të lexojnë krijimtarinë tonë e t’na e thonë haptas,
Se, ata na kuptojnë e dine t’i bëjnë si duhet këto lexime.
I kuptojnë metaforat e rralla, krijuesit modernë e të vërtetë,
Si lahen duart me rreze dielli e gjethet e rëna kanë jetë.
Si pihet verë nga deti e, si prej qiellit hahet akullore,
Si izmat e së shkuarës mbahen fort për dore.
Lexuesit e sotëm këto nuk i kuptojnë,
Nivel i ulët, mjeranë e të paditur,
Deri sa të kemi lexuesit tanë,
Kështu do të mbetemi,
Me alienë.
Në fund, shpreh bindjen time se miku ynë Meçan Hoxha do të vazhdojë të shkruaj, në mos po shkruan ende poezi dhe s’do të kalojë shumë kohë, kur do të kemi në dorë një vëllim tjetër, “melhem”: zbukurues dhe shërues të shpirttrave tanë të trazuar nga kjo kohë pa kohë.