Zyrtari i Partisë Demokratike, Dorian Teliti, njëkohësisht nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka deklaruar se arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj është i pashmangshëm, duke e lidhur këtë me akuzat për vjedhje dhe korrupsion gjatë drejtimit të Bashkisë së Tiranës.
Në një intervistë televizive, Teliti akuzoi Veliajn për shkelje të përsëritura të ligjit dhe për keqpërdorim të pasurive publike.
Sipas Telitit, Veliaj ka kryer marrëveshje korruptive me ndërtuesit dhe ka shpërdoruar qindra milionë euro nga projektet publike, përfshirë fondet për inceneratorët, të cilët ai pretendon se nuk ekzistojnë. Teliti shtoi se provat kundër Veliajt, të mbledhura nga SPAK, janë të mjaftueshme për të ndërmarrë masa ndëshkuese si arrestimi ose pezullimi i tij nga detyra.
“Është vetëm çështje kohe deri sa drejtësia të veprojë ndaj Veliajt për keqmenaxhimin dhe shpërdorimin e parasë publike. SPAK, me gjithë provat që ka në dispozicion, duhet të kishte marrë masa të menjëhershme për pezullimin ose arrestimin e tij,” tha Teliti. Ai shtoi se institucionet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë për të rikthyer në buxhet paratë e shpërdoruara.