Ballina Ekonomia “Në emër të mbrojtjes së konsumatorëve”- Çdokush që merr kredi mund të...

“Në emër të mbrojtjes së konsumatorëve”- Çdokush që merr kredi mund të heqë dorë prej saj brenda 14 ditëve

169
0

Epoka e kredive të shpejta në vend, vetëm me kartë identitet, pa qenë domosdoshmërish në një punë pritet të marrë fund së shpejti.

Një projektligj i depozituar në Kuvend nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku synon të forcojë kushtet e huadhënies me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve. Sipas nismës ligjore ndërkohë çdokush që merr kredi mund të heqë dorë prej saj brenda 14 ditëve, pa dashur të japë shpjegime për këtë vendim.

“Në rastin e heqjes dorë nga marrëveshja e kredisë, ofruesi nuk ka të drejtë për ndonjë kompensim tjetër nga konsumatori përveç tarifave të pakthyeshme që mund të kenë lindur si pasojë e shërbimeve të administratës publike që lidhen me marrëveshjen e ofruar”, thuhet në projektligjin “Për marrëveshjet e kredisë konsumatore”.

Duke iu referuar “skandalit të mikrokredive”, deputetja demokrate përmes nismës së saj ligjore propozon që qartësohen dhe saktësohen të dhënat dhe kushtet gjatë procesit të kredidhënies. Nëse kjo nuk ndodh, institucionet huadhënëse do të gjobiten me gjobë deri në 300 mijë lekë.

“Ofruesit e kredive duhet të përfshijnë një tabelë përmbledhëse të kostove dhe detyrimeve të pagesës, që përfshin të gjitha kostot për konsumatorin, përfshirë shumat e detyrimit kryesor dhe interesin sipas kushteve aktuale të kredisë”, thuhet në projektligjin “Për marrëveshjet e kredisë konsumatore”.

Baza e re ligjore detyron gjithashtu institucionet kredidhënëse që të njoftojnë qartë dhe në kohë klientët në rast të ndryshimit të normave të inetersit.

“Kur normat e huamarrjes janë të ndryshueshme, kreditori do të ketë detyrimin t’i njoftojë konsumatorët për ndryshimet e mundshme në normat e interesit dhe se si këto do të ndikojnë në shumën totale të pagueshme pas ndryshimit, para se ndryshimi të hyjë në fuqi”, thuhet në projektligjin “Për marrëveshjet e kredisë konsumatore”.

Me ndihmën e Bankës Botërore, Banka e Shqipërisë është gjithashtu duke hartuar një bazë të re ligjore e cila parashikon shtrëngim të kushteve të dhënies së kredive.(A2)