Mëngjesin e kësaj të shtune, policia bashkiake ndërmori një aksion për të larguar tregtarët nga tregu në lagjen e Kombinatit në Tiranë, ku shumë prej tyre kishin aktivitetet e tyre për vite.
Ky aksion ka shkaktuar tensione, pasi tregtarët, që kanë paguar taksën dhe janë regjistruar ligjërisht, akuzojnë Bashkinë e Tiranës për dhunë dhe papërgjegjshmëri.
Anëtari i Partisë Demokratike, Klevis Balliu ka reaguar duke denoncuar këtë veprim si një tentativë për të favorizuar militantët e Bashkisë, duke larguar qytetarët që kanë për shumë vite një biznes të ligjshëm. Ai ka përmendur se shumë drejtorë të Bashkisë janë aktualisht të burgosur për aferat e mëparshme dhe ka bërë thirrje që të mos shkelin ligjin dhe të mos i prekin bizneset e qytetarëve.
Sipas Bashkisë, për një periudhë 15 ditore është kryer një aksion për të identifikuar tregtarët “faktikë” dhe për t’u mundësuar një tezgë ligjore, por tregtarët e prekur akuzojnë se nuk po ofrohen zgjidhje alternative dhe se janë lënë pa mundësi për të siguruar jetesën e tyre.