Ballina Kulturë Kur erdhi dhe iku Gjergj Toni?

Kur erdhi dhe iku Gjergj Toni?

28
0

Nga Abdurahim Ashiku 

Kur erdhi,
male kaptuar,
Ishte fëmijë.
Cullë – siç thoshte Ismet Boka.
Në takimin 70 vjet Xhevat Dani…
Gjush e thërrisnin,
Gjush Pjetri…
GJERGJ TONI,

U poqe në Dibër,
Dëftesë pjekurie,
prej asaj more,
dashuri për Ty
dashuri për Të.
Eh mor Gjergj Toni,
Sa i bukur,
Sa i gëzuar,
Sa gojëmbël …
Ishe atë ditë.
Nuk e harroj.
Nuk mund ta harroj
E kam në dhjetëra foto,
të gjithë bashkë,
në tavolinat shtruar
në gjelbërimin buzë Drinit…
Të kam në disa foto
bashkë…
në plazh,
Unë,
Ti,
Ismet Boka,
Hamza Hyka…
Në Golem…
Nuk më ndaheshit,
çdo verë,
buzë detit…
Më gëzonit,
lumturi më lëshonit…
Xhevat Dani iku…

Më dhembi,
Gjoksin ma çau,
shpirtin ma thau
Enver Laçi iku,
Këmbën ma ndali,
kafen ta pi,
me të
në kullën legjendë
ma ndali…
Hamza Hyka iku
Iku…
Oh sa dhimbje…
nuk do ta takoj
Verës në Golem,
Nuk do ta përqafoj,
kafen me Të
Nuk do ta shijoj…
E kishim lënë,
besë burrash,
në 70 vjetorin e secilit,
bashkë do jemi…
bashkë, si në klasë,
si në foton e hershme

Kur ishit “cullë”
e unë…
mësuesi juaj…
Fëmijëve, gjakut, shokëve…
një amanet kam
Të rroni…
Ta kujtoni…
Ta nderoni…
Njeriun e mirë…
GJERGJ TONI…
Abdurahim Ashiku
Athinë. 21 kallnuer 2025

GJERGJ TONI
(Fragment nga reportazhi “PAS NJË GJYSMË SHEKULLI MES NXËNËSVE TË MI)

Mu desh pak kohë të mësohem me emrin e tij të ri.
Më ndihmoi Hamzai.
Në klasë, ulur në bankë orëve të mësimit apo praktikës mësimore të lëndës së mekanikës bujqësore e të bimëve të arave kisha pas përpara Gjush Pjetrin.
Tash kam përballë Gjergj Tonin…
Një histori e gjatë lidhur me emrat degëzues të maleve të veriut.
E mësova para se të vij këtu, në plazhin e Malit të Robit, kur të tre u ulëm ( Unë, Hamzai dhe Ai) në lokalin e tij me dy shishe verë Sheshi të bardhë e sushi, specialitet kulinar tash në vitet e pensionit…
Ishim ulur pranë e pranë me vështrimin mbi njerëz të gëzuar që kërcenin e këndonin
Më pyeti në se do të shkoja prej këtu në Brezhdan.
I thashë jo.
Nuk desha ta përziejë bukurinë e këtij çasti me mallin dhe brengën për vendlindjen.

Nxënësit e mi ishin ngritur dhe dorë për dore ia kishin marrë valles.
Bukur!
Një kënaqësi që nuk e kisha ndjerë ndonjëherë…
I kërkova që të mi përshkruante me emër shokët e tij, nxënësit e mi, në harmoninë e një gëzimi…
Mi radhiti sipas valles, një nga një…
Ismet Boka nga Tirana, Hamza Hyka nga Tirana, Xhevat Dani nga Maqellara, Sabri Ismaili nga Baldushku, Selim Aga prej Vishnjet, Zef Gropçi prej Zagore, Engjëll Çuku prej Rrenci, Halil Dani prej Gruemire, Sakip Vojka prej Brezhdani, Sulejman Abdia prej Sohodolli…
Mi tha dhe u ngrit edhe vetë…
Është rast i veçantë që unë e ndjej veten kaq të gëzuar.
Për këtë vend kam mall…
Për këto njerëz kam mall…
Malli më solli këtu…
Mundohem ta shuaj…
Më kallet prush…