Ballina Kulturë Mbyllet faza e aplikimeve për Çmimin Kadare 2025/ Rekord dorëshkrimesh, 39 shkrimtarë...

Mbyllet faza e aplikimeve për Çmimin Kadare 2025/ Rekord dorëshkrimesh, 39 shkrimtarë në garë

26
0

Edicioni i 11-të i Çmimit Letrar Kadare sapo ka mbyllur fazën e parë, atë të pranimit të dorëshkrimeve. Janë 39 shkrimtarët të cilët kanë dërguar veprat e tyre në prozë, që sipas kritereve të këtij çmimi, janë të pabotuara më parë.

Shkrimtarë të njohur si Mimoza Ahmeti, Stefan Çapaliku, Gazmend Krasniqi, Marçel Hila apo dramaturgë si Armand Bora dhe shumë të rinj kanë sjellë dorëshkrime në prozë të gjinisë së romanit, novelave, tregimeve e dramave, ndërsa juria i ka marrë në shqyrtim për të përzgjedhur prej tyre pesëshen finaliste në mes të muajt shkurt.

Numri i konkurrentëve edhe këtë edicion ka qenë i lartë, duke treguar jo vetëm interesin e prozatorëve nga e gjithë hapësira shqiptare por edhe emrin dhe prestigjin që ka fituar Çmimi Kadare, që prej themelimit, si një nxitje për prozën shqipe.

Në këtë edicion të 11-të juria përbëhet nga fituesit e edicioneve të shkuara dhe kryesohet nga shkrimtarja Vera Bekteshi, e cila së bashku me anëtarët Loer Kume e Dionis Prifti po punojnë për të përzgjedhur në fazën e dytë pesë dorëshkrimet më të mira. Në javën e tretë të muajit shkurt, gjatë aktivitetit “Shkolla Dimërore e Humaniteteve”, që mbahet në Llogora, do të shpallet vepra fituese për vitin 2025.

Në fund të 2024-s, Çmimi Kadare kremtoi 10 vjetorin e themelimit të tij ndërsa akordoi edhe një çmim special për poetin Preç Zogaj dhe veprën e tij antologjike “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”.

I pari fitues i këtij çmimi, u shpall shkrimtari Rudolf Marku me romanin e tij “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, më 2015-n, duke vijuar me Shkëlqim Çelën dhe përmbledhjen me tregime “Embriologji, Virgjil Muçi me “Piramida e Shpirtrave”, autori nga Kosova Musa Ramadani me “Profeti nga Praga”, Loer Kume me “Amigdala Mandala, Gani Mehmetaj po ashtu nga Kosova me romanin “Zogjtë e Qyqes”, shkrimtarja Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të Verdha”, poetja e re nga Maqedonia e Veriut e cila debutoi me romanin “Duhet të jetë dashuri” dhe së fundi prozatori i ri Dionis Prifti me romanin “Dy javë nën balonë”.

Në dhjetë vjet jetë, prej krijimit të tij, për Çmimin Letrar Kadare kanë konkurruar më shumë se 400 vepra në prozë, të pabotuara më parë, duke e shndërruar kështu në një nxitje të rëndësishme krijimtarie për shkrimtarët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut. Vlera totale e këtij Çmimi vlerësohet të jetë 10 mijë euro ku krahas vlerës monetare, fituesit i sigurohet botimi i veprës nga shtëpia botuese UET PRESS dhe promovimi i saj përmes turesh e takimesh me lexuesit në të gjithë Shqipërinë.

ÇMIMI KADARE 2025
Emrat në garë

1. VLASH LINADI- DIELLËZA ( NOVELË)
2. SHEFQET BYLYKBASHI – UNË JAM KRYENGRITËSI (ROMAN)
3. FLOGERTA KRYPI- NË AEROPORT NUK SHESIN BIBLA ( ROMAN)
4. ILIR MUHARREMI – HIJA E TIJ ( ROMAN)
5. SEJHANE MEHMETI – PËRTEJ LARGËSIVE (DRAMË)
6. KUJTIM LAPA – RRËFIMET ( TREGIME)
7. EDMOND SHALLVARI – MOTRA E MADHE (ROMAN)
8. GAZMEND KRASNIQI – SI SHKRUHET NJË ROMAN DASHURIE (ROMAN)
9. STEFAN ÇAPALIKU – SAGA E SARAJEVËS (ROMAN)
10. ILIR PAJA – PRITJA (DRAMË)
11. ANDREA TARKA – RRËFIMI- NJË LETËR E GJATË (NOVELË)
12. RALF SPIRO – ILRIJAN KUDO DHE POROSIA E PRINC VIDIT (TREGIME)
13. EDUART YMERI- DRITAN TERRI
14. GENC XERXA – KLITHMA E FLUTURËS (NOVELË)
15. BISER MEMETI – MACJA ME NJË SY (ROMAN)
16. ALEKO LIKAJ – NJË NATË TEK TOPIAJT (ROMAN)
17. XHON SHEHU – A KA GËZIM PA LIRI?
18. ERMELINDA PASHAJ SERJANAJ –UNIVERSI THOTË GJITHMONË PO
19. MURAT ALIAJ – LULE NE TOKEN E DJEGUR (ROMAN)
20. DIANA MARKAJ – KRISTINA (ROMAN)
21. KLIDI APOSTOLI – ARRATISJA E VARREVE (ROMAN)
22. INA BAQOSHI – PËRTEJ MUREVE (NOVELË)
23. BEHAR FEJZULLA- ATENTAT PRESIDENTIT (DRAMË)
24. OSMAN GORANCI- ERA DHE RRONI – Një histori dashurie (ROMAN)
25. MERITA ABAZI – TAKIM RASTI (Roman)
26. KRISTAQ TURTULLI – DHIMBJA E IKONËS (Roman)
27. VLORA KONUSHEVCI – Martesat, valixhet dhe ngarkesat tjera” (Tregime)
28. AFËRDITA BLAKA- Dashuria pa kusht (Roman)
29. ILIR MBORJA – Novela dhe Tregime
30. MARCEL HILA- TERROR NË STROFULLIN E TERRORISTËVE (Roman)
31. LULZIM MURSELI – FËMIJËT E LUFTËS (Roman)
32. ARBËR SELMANI – TESTOSTERON (Tregime)
33. JETLIRA AVDIAJ – TOKË E BABËS (Roman)
34. BINAK KELMENDI – TË HUAJT (Roman)
35. FLORI DODAJ – NJË ËNDËRR TË VETME (Roman)
36. ENIRD MALILE- Planeti Leshtor- (Tregime)
37. MIMOZA AHMETI – I VOGLI (Roman)
38. ARMAND BORA – ATA QË MBIJETUAN (Drama)
39. DITURI MEÇI- VAJZAT E KOMBINATIT STALIN (Roman)