Ballina Aktualitet ‘Zbërthehet’ prokurori që hetoi 21 Janarin, gabimet e Prokurorisë dhe fshirja e...

‘Zbërthehet’ prokurori që hetoi 21 Janarin, gabimet e Prokurorisë dhe fshirja e provave

33
0

Çështja e dosjes së 21 Janarit është ende e paqartë dhe me shumë pengesa për t’u zgjidhur, përfshirë përplasje të shumta mes qeverisë dhe prokurorisë, si dhe vonesa të mëdha në hetimet fillestare.

Katër protestuesit e opozitës u qëlluan dhe u vranë nga Garda, përpara Kryeministrisë, dhe nga atëherë hetimet janë hasur me sfida të ndryshme.

Sipas ish-prokurorit Ervin Karanxha, disa faktorë kanë shkaktuar zvarritjen e hetimeve, duke përfshirë gabime nga Prokurorinë e Përgjithshme, e cila duhej të kishte pasur kompetencë për hetimet mbi zyrtarët e lartë, përfshirë kryeministrin, por kjo nuk u realizua.

Një tjetër problematikë e madhe ka qenë fshirja e provave, si gardhi i Kryeministrisë që ishte dëmtuar nga plumbat dhe pamjet filmike që u hoqën nga serverat. Karanxha tregon se kur hetuesit shkuan në Kryeministri, gjurmët ishin hequr dhe dëmtimet e plumbave ishin fshirë. Ai gjithashtu thekson se ekzekutimi i urdhër-arresteve nga Policia e Shtetit u vonua për disa javë, çka ka ndikuar negativisht në përparimin e hetimeve.

Përveç këtyre pengesave, hetimi ka përfituar edhe nga prova të reja, përfshirë ato të gjetura në Strasburg dhe provat audio që janë në duar të SPAK. Prokuroria e Përgjithshme, që në atë kohë kishte kompetencën për të hetuar, nuk ka marrë masat e duhura për t’i përmbushur detyrat e saj, duke i lënë këto detyra të hapura deri në ndërhyrjen e SPAK që tani ka kompetencë për t’i hetuar. Siç e ka vendosur edhe Gjykata e Lartë, kjo çështje duhet të hetohet nga SPAK.

Përplasjet e mëparshme dhe mungesa e veprimit të duhur kanë sjellë vonesa dhe ka penguar arritjen e drejtësisë, por me hetimet aktuale që po zhvillohen nga SPAK, ka mundësi që të përfundojnë hetimet dhe të përcaktohen përgjegjësit për këtë tragjedi.

“Kam qenë pjesë e grupit hetimor në lidhje me ngjarjen, vrasjet dhe plagosjet më 21 Janar. Fillimisht ishim në Spitalin Ushtarak dhe më tej në Bulevard. Kam këqyrur pjesën ku rrinin anëtarët e grupit të zjarrit dhe zona e gëzhojave, ishim 3 prokurorë, në Kryeministri dhe bodrum. Unë kam qenë te pjesa e gëzhojave. Në orën 02:00 të asaj nate jemi thirrur te zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për një mbledhje dhe janë lënë detyra. Meqë ish-ministri i ndjerë Sokol Olldashi doli me deklaratë për makinën me eksploziv, shkuam menjëherë për verifikim dhe nuk konstatuam asgjë. Më tej kaluam te armët e zjarrit me ekspertime dhe veprime hetimore. Kemi ecur me vijueshmërinë e hetimeve, kemi shkuar më pas në vendin e ngjarjes. Kemi shkuar te një pemë pranë Kushtetueses kemi gjetur një predhë në të e kalibrit 9 mm.

Kemi diskutuar në Prokurorinë e Përgjithshme, janë lëshuar 6 urdhra ndalimi nga Prokuroria e Tiranës që kishte dhe kompetencën për personat dhe ato u penguan në ekzekutim. Urdhrat e ndalimit dolën nga Prokuroria e Tiranës dhe nuk u ekzekutuan nga Policia në moment. Pas shumë debatesh urdhrat u zbatuan pas pak kohe, një apo dy javë. Nga 6 urdhra urdhra vetëm një ishte efektiv për Ndrea Prendin, sepse për të tjerët nuk kanë qenë në hetim.

Kemi një vendim të Gjykatës së Lartë, që thotë qartësisht se kompetenca për këtë rast është e SPAK. Më parë ka qenë ajo e Prokurorit të Përgjithshëm (pra siç është SPAK sot), si rregull duhej të hetohej nga Prokurori i Përgjithshëm dhe ka sjellë pasoja të rënda. Ne duhet të merrnim tabulatet e zyrtarëve dhe ne s’i kemi bërë, se sipas ligjit të kohës s’kemi pasur kompetencë. Prokuroria e Përgjithshme duhet të vepronte, sepse ne ishim të rrethit gjyqësor, pa kompetencë. Pse nuk e kryen ata në Prokurorinë e Përgjithshme, unë nuk e di. Nuk u bë, iku”, thekson ish-prokurori.