Ballina Politika A do futen drejtuesit e qarqeve në primare? Berisha sqaron procedurën

A do futen drejtuesit e qarqeve në primare? Berisha sqaron procedurën

34
0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti këtë të hënë një konferencë me gazetarët, ku foli në lidhje me procesin e primareve që pritet të nisë në PD dhe nga ku do të dalin kandidatët e kësaj force politike për zgjedhjet e 11 majit. Berisha u pyet nëse drejtuesit politikë të qarqeve do të jenë automatikisht pjesë e listave të demokratëve, apo nëse do t’u duhet të jandidojnë në primare.

Kryedemokrati tha se ai nuk do të ndikojë në këtë proces dhe se çdo vendim do të bazohet në statutin e partisë. Sipas tij është në tagrin e Këshillit Kombëtar të marrë vendime nëse drejtuesit politikë të qarqeve do të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë më 11 maj. Ai shtoi se Këshilli Kombëtar pritet të shqyrtojë propozime të ndryshme mbi mënyrën e zhvillimit të primareve.

“Së pari, nuk po orientoj asgjë sepse statuti është statut dhe unë nuk kam tagër që të tejkaloj statutin.

Por, organi që ka tagër të tejkalojë statutin, midis dy konventave, është Këshilli Kombëtar. Dhe unë u kam thënë se do vendosë Këshilli Kombëtar se si do veprohet me drejtuesit e qarqeve. Nga ana tjetër, është shumë normale në një parti demokratike, të shprehen mendime të ndryshme. Unë u thashë më parë që në zyrën e tij kam propozime nga bashkëpunëtorë të mi dhe të tjerë që primaret të jenë me listë kombëtare. Të tjerë që të jenë me listë rajonale. Kjo është gjëja më normale. Dhe do arrihet një rezultante.

Pra, nuk ka asnjë lloj orientimi nga unë përveçse atyre që janë shkruar në statut. Në qoftë se kam deklaruar se është Këshilli Kombëtar, u kam thënë një të vërtetë ju se është Këshilli Kombëtar që mund të tejkalojë statutin. Dhe ajo normë që miratohet nga Këshilli Kombëtar, instalohet nga konventa në statut… …Ka një moment këtu. Si e gjykon Këshilli Kombëtar, unë nuk mund ta marrë përsipër.

Por një drejtues është një drejtues dhe nuk ka mbirë aty, ka ardhur aty nga procese votimesh dhe votëbesimesh. Kështu se si do jetë… unë e kuptoj që ka njerëz që thonë se lista duhet të jetë 100 përqind e hapur. Unë këtyre miqve, që ka edhe në parti dhe nuk kam asgjë kundër tyre, u them e nga 43 vende që aplikojnë listën e hapur, janë gjithsej vetëm 3 të tilla që e kanë plotësisht të hapur. Të gjitha të tjerat e kanë me shkallë. Kjo sepse duhet një proporcion midis partisë dhe pjesës aspirante për t’u zgjedhur.

Sigurisht mund të jenë të gjithë. Por në këtë sistem ka një defekt. Një garë kryekëput individuale e harron secili, me të drejtë, jo pa të drejtë, do kërkojë votën e tij. Do ishte shumë e drejtë në qoftë se sistemi unifikonte votën e kandidatit me votën e partisë. Në këtë rast do ishte, por Edi Rama që ka penguar gjithcka për të penguar, nuk e lejoi këtë. Dhe në këtë rast, partia jetime nuk mund të mbetet. Askund në botë nuk ndodh.

Pra, besoj se e shpjegova shumë qartë… …Unë nuk kam ndërmend t’i ndikoj askujt paraprakisht me qëndrimin tim. Kam ndërmend që këtë ta diskutojmë në Këshillin Kombëtar. Se nuk ka kuptim nëse unë paragjykoj ose jap mendime paraprake. Jo, Këshilli Kombëtar do vendosë”, tha Berisha.