Ballina Politika ‘Arrestimi im, spektakël politik’, ish-zv.kryeministri Ahmetaj: Rama, kryetar i organizatës, kontrollon drejtësinë....

‘Arrestimi im, spektakël politik’, ish-zv.kryeministri Ahmetaj: Rama, kryetar i organizatës, kontrollon drejtësinë. Balluku ka shkaktuar më shumë dëme se tërmeti i vitit 2019

99
0

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili ndodhet jashtë vendit, ka dalë në një intervistë televizive ku ka vijuar me akuzat e tij të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesit të SPAK, Altin Dumani.

Ai e ka përshkruar Ramën si “kreun e organizatës”, duke e akuzuar për kontroll të plotë mbi institucionet e drejtësisë dhe përdorimin e tyre për qëllime politike. Ahmetaj ka deklaruar se në Shqipëri drejtësia është e kapur dhe përdoret për të goditur kundërshtarët politikë të Ramës, ndërsa ka shtuar se veprimet e fundit të SPAK tregojnë qartë këtë kapje.

Gjatë intervistës, Ahmetaj ka hedhur akuza të shumta ndaj SPAK, duke pretenduar se institucioni vepron në mënyrë selektive dhe ndjek penalisht persona vetëm për të përmbushur urdhrat e kryeministrit. Ai ka deklaruar se SPAK ka kërcënuar dëshmitarë, ka ndjekur penalisht familjarët e tij, përfshirë ish-bashkëshorten dhe gruan aktuale, dhe ka vepruar për t’i bërë qejfin qeverisë. Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe rastin e Bardh Spahisë, ish-kryetar i Bashkisë Shkodër, duke e cilësuar skandaloz faktin që SPAK ndjek një zyrtar për heqjen e një drejtori, ndërsa rastet e shkeljeve nga qeveria mbeten pa ndëshkim.

Ahmetaj ka vënë në dukje se arrestimi i tij ishte një spektakël politik i orkestruar nga Edi Rama, duke e përshkruar si një mënyrë për të treguar forcën dhe për të dërguar mesazhe politike. Ai ka theksuar se e gjithë kjo ndodhi me qëllim që Rama të shfaqej si i fortë përballë kritikëve dhe kundërshtarëve. Duke folur për marrëdhënien mes SPAK dhe qeverisë, Ahmetaj ka theksuar se prokuroria shpesh bën deklarata publike të motivuara politikisht, si në rastin e një hetimi ku u përjashtua përfshirja e Olsi Ramës para përfundimit të hetimeve. Ai e quajti këtë veprim një tregues të kapjes së institucioneve dhe të varësisë së tyre nga kryeministri.

Në vijim, Ahmetaj e përshkroi arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta si një akt simbolik të dhunës shtetërore, të urdhëruar nga Rama për të përforcuar pushtetin e tij dhe për të trembur kundërshtarët politikë. Ai e quajti këtë arrestim vulgar dhe të panevojshëm, duke aluduar se ishte bërë vetëm për të kënaqur interesat politike të kreut të qeverisë. Sipas Ahmetajt, ky veprim është një tjetër shembull i prirjes së Ramës për të kontrolluar çdo aspekt të jetës politike dhe institucionale në Shqipëri.

Në fund të intervistës, Ahmetaj e përshkroi situatën në vend si të rënduar nga frika dhe terrori politik. Ai e quajti të papranueshme që pas 30 vitesh demokraci, qytetarët të jetojnë me frikën e përgjimeve, arrestimeve dhe ndëshkimeve të padrejta. Ai shprehu dëshirën e tij për reforma të thella që do të mundësonin çlirimin e drejtësisë nga kontrolli politik dhe do të krijonin një shoqëri më të lirë dhe të drejtë. Ndërkohë, ai theksoi vendosmërinë për të mbrojtur veten dhe familjen e tij nga goditjet që, sipas tij, janë të orkestruara nga Rama për të heshtur zërat kundërshtarë.

Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të forta ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku. Gjatë një interviste televizive, Ahmetaj e akuzon Ballukun si ‘plaçkitëse’ dhe si njeriu që i ka shkaktuar buxhetit të Shqipërisë më shumë dëme së tërmeti shkatërrues i vitit 2019.

Peka: Belinda Balluku është plaçkitësja më e madhe…qe ta ketë të qartë publiku.
Ahmetaj: Më fal, se unë do t’i referohem edhe me shifra, por që nga koha e Ismail Qemalit, por jo atij virtualit që nxjerr kreu i organizatës, atij realit, Belinda Balluku është plaçkitësja më e madhe e buxhetit të shtetit. Më besoni, në përllogaritjet e mia, duke marrë referenca të drejtpërdrejta nga biznese sot, dhe ti e di mirë që unë jam bërë nukël informacioni, sot, dëmi që është shkaktuar nga Belinda Balluku në buxhet është dyfish më i madh se tërmeti i vitit 2019. Dëmi i vetë asaj, nuk po flas pastaj për dëmin e gjithë anëtarëve të tjerë, dëmi i vetë plaçkitëses, shkon dyfishi i tërmetit të 2019. Vazhdon të mbajë rekord në historinë e Shqipërisë, e ka çuar me 11-miliardë nivelin e tenderave, më pas do t’ju tregoj edhe sukseset, se del në parlament dhe thotë kemi bërë shkolla, kemi bërë kopshte… Vetëm me tunelin e Llogarasë, që do ta them, ka gëlltitur baras me dy inceneratorë të Fierit dhe të Elbasanit dhe baras me 15 shkolla të mëdha, i ka gëlltitur plaçkitësja më e madhe, por do të kthehemi tek tuneli. Do bëj edhe ca pyetje që na çojnë në drejtimin e të vërtetës për të ndihmuar SPAK-un.

Peka: Shiko zoti Ahmetaj, pas intervistës së dytë interesi ka qenë i jashtëzakonshëm dhe komentet ka pas pafund. Skeptikët, ose ata që presin që ju të hakmerreni dhe të rrëzojnë Edi Ramën, thonë nuk publikoi dokumentet. Shoh që keni ardhur me dokumente. Shqiptarët duan të duan sot nga ju pse Edi Rama është kreu i organizatës dhe Belinda Balluku është plaçkitësja më e madhe???

Ahmetaj: Të kthehemi njëherë të fenomeni, se çfarë ka ndodhur me atë strukturë kryesisht 7 vitet e fundit, por sidomos 4 vitet e fundit. Kur unë u shkarkova, arsyeja e komunikuar kolegëve të mi aty ishte se unë kisha prishur unitetin e partisë. E kam thënë edhe njëherë tjetër unë nuk kam pas asnjë ambicie as të bëhesha sekretar i përgjithshëm, as kryeministër dhe këtë e di gjithë partia, as kryetar bashkie, as sërish ministër. E di gjithë Shqipëria tashmë, mbi të gjitha kreu i organizatës dhe miqtë e mi që unë kërkova të largohesha. Ajo që ka ndodhur sot me shtyllat e shtetit, praktikisht është një reflektim i një përpjekje që unë të paktën personalisht, naivisht, nuk kam arritur ta shoh që ditën 1, e kthimit të të gjithë strukturave të shtetit në funksion të një njeriu, të kreut të organizatës. Dhe kur njerëzit, përtej fatit tim, fati i Shqipërisë sigurisht që prevalon, për familjen time prevalon fati im, për mua prevalon fati i Shqipërisë, fati i fëmijëve të mi dhe fati i familjes time. Nuk diskutohet. Por fati i Shqipërisë është i lidhur edhe me fatin tim dhe fatin e familjes time. Dhe sot Shqipëria është në dorë të krimit. Kemi bërë disa herë bisedë me ish-ambasadorë amerikanë në Shqipëri, zonjën e nderuar Yuri Kim, dhe gjithmonë pyeste kujt…

Peka: Këtë e nderuar e besoni kur e thoni, apo…?

Ahmetaj: Patjetër…kujt do i takojë Shqipëria? Unë sot do i kthej përgjigje Yuri Kim, sot Shqipëria ka rënë në duart e krimit. Merr Partinë Socialiste, ka shumë socialistë, por s’ka parti. Është vetëm një organizatë e krijuar vetëm për t’i shërbyer një njeriu. Ka shumë socialist. Më thoni cfarë lidhje ka sot Partia Socialiste me qeverinë që praktikisht është bashkia1 dhe bashkia2 e dikurshme? Nuk ka lidhje. Sot praktikisht, koordinatorët politikë janë zëvendësuar me koordinatorë të krimit. Referojuni pak Encro Chat të SKY, fatkeqësisht për shkak të atyre dosjeve të ardhura në Belgjika dhe Franca dhe jo të nisura nga SPAK-u dhe unë do ta theksoj, kanë rënë katër qarqe elektorale, fatkeqësisht për ne që kemi lënë ditë, net, vit të tëra për të punuar me shumë qejf për Partinë Socialiste. Katër, ka rënë Shkodra, ka rënë Durrësi, ka rënë Elbasani, ka rënë Tirana. Po pse kjo është Partia Socialiste? Çfarë lidhje ka Partia Socialiste?

Peka: Kjo është. Vetëm ju se keni parë, kjo është Partia Socialiste.

Ahmetaj: Po pse mo, Partia Socialiste ka dalë të votojë për Gys Agasin që të komandojë Shqipërinë???

Peka: Kjo është, pse nuk e dije ti??

Ahmetaj: Jo mo, nuk e dija. Kur shkova në zgjedhje nuk e dija që do ndodhte kjo. Çfarë do Gys Agasi në Emirate me kryeministrin edhe në DAVOS, çfarë përfaqëson?

Peka: Është edhe në DAVOS?

Ahmetaj: Çfarë përfaqëson? Le t’i kthehem qytetarëve shqiptarë. Socialistëve, o miqtë e mi, diku më keni dash, diku më keni kritikuar, diku më keni urryer, emocione njerëzore. Për Gys Agazin keni votuar ju? Për Pirro Vëngun? S’ka gjë me Pirro Vëngun si krijesë, s’ka lidhje, sistemi i patronazhimit politik që duhet ta bëjë çdo parti, në atë vend është kthyer në sistemin e patronazhimit të bukës. Kërcënojnë punonjësit e administratës, në një rast shumë interesant, shumë interesant, është, nja dy miqtë e mi në Itali që erdhën na zëvendësuan thanë, na kërcënuan, kanë kërcënuar motrën time, tha, që motra dhe kunati të dalin në Milano për takim me kreun e organizatës. Nuk është kjo Partia Socialiste. E keni parë që hanë kokat e njëri-tjetrit? Unë s’jam më. Unë po e them sot, Encro Chat ka vërtetuar rënien e katër qarqeve elektorale të Partisë Socialiste. Dhe këtë shkojnë dhe merren me Bardh Spahinë, se babanë e tij ia kam njohur kur punoja te FMN dhe tek Instituti Demokratik Republikan. Ia kam njohur babain, burrë i nderuar, ndjesë pastë. Këta merren me Bardh Spahinë, këta dalin flasin për…ore një krim elektoral, a kanë çuar këta deri në fund një krim elektoral? Janë marrë me kryetarin e bashkisë së Rrogozhinës… një krim elektoral mo, SPAK-u, a po shkojmë në zgjedhje, a duhet të ketë zënë mend X – Y dhe Z-ta?

A po shkojë? Fola për partinë. Ti ke socialistë sot, më beso, komunikojnë me mua, socialistët, po flas për grupin parlamentar, një pjesë që është le të themi e vjetër, në kuptimin e eksperiencës, e vjetër në eksperiencë, të kapur për fyti, dikush i presuar, dikush i influencuar, dikush i lirë po revoltuar, një pjesë e tyre mezi presin që ky të bjerë. Është një ndjesi që dominon. Fola pë Partinë Socialiste. Sot po të shikosh nga ana e partisë, të shikosh qeverinë, sot qeveria është formati 5D i bashkisë së Tiranës, po nuk është 5D, është 5B. Plaçkitësja më e madhe në historinë e Shqipërisë të buxhetit të shtetit, ka emëruar 5 ministra, dy në bashkëpunim me eksponentët, 5 ministra për të plotësuar zinxhirin e plaçkitjes.

Po me ca po merret Pirro Vëngu? Merret me pronat e ushtrisë. Ma tha njeri brenda Ministrisë së Mbrojtjes që ky njeri po vjen vetëm se është i zellshëm për të dorëzuar pronat. E keni parë narrativën, ka filluar të flitet për Porto Palermon, është ai masturbimi turistik që tha Quest-i, në DAVOS, shpresoj që ta kenë parë shqiptarët. Pra, nderuar z. Peka, 5B-ja, ministri i financave është marrë nga strukturat e ish-Ministrisë së Infrastrukturës, dakord, Ministri i Brendshëm është histori më vete, kapitull më vete që, ‘for the record’. Kreu i organizatës, dikur, kur punonte si drejtor i hetimit tatimor e shkarkoi nga puna për korrupsion.