Këngëtarja Bleona Qerreti mund t’i futet politikës në Shtetet e Bashkuara, sipas gazetarit Vlorjan Halili. Gjatë emisionit “Kosova Today” në Klan Kosova, ai tha se Qerreti ka pasur prej vitesh një lidhje të afërt me ish-presidentin Donald Trump.
“Bleona Qerreti prej shumë kohësh në Amerikë ka pasur kontakt me Donald Trump, kanë pasur shoqëri të vazhdueshme, pra para shumë vjetësh kur ai as nuk e ka ditur që do të jetë president,” tha Halili.
Ai shtoi se edhe ish-bashkëshorti i këngëtares, Ganiu, kishte bashkëpunime biznesore me Trumpin. “Bleona e njeh personalisht Trumpin dhe ka qenë një mbështetëse e fortë e tij në zgjedhjet e kaluara, ashtu si edhe në këto të tanishmet,” theksoi ai.
Sipas Halilit, mbështetja e Bleonës për Trumpin i ka kushtuar në industrinë e Hollivudit. “Në momentin që ajo ka dalë hapur në krah të Trumpit, ka vuajtur nga menaxhmenti i Hollivudit, pasi shumë njerëz të industrisë ishin kundër tij,” u shpreh ai.
Ndërkohë, gazetari Gjergj Prenga habiti studion me një deklaratë të papritur. “Bleona Qerreti do të ishte diplomatja e duhur për të përfaqësuar Shqipërinë si ambasadore në SHBA,” tha ai, duke hapur diskutime mbi një rol të mundshëm të saj në diplomaci.