Ballina Politika Djathtas 1912: Mbështetje për Strategjinë e SPAK kundër Krimit Zgjedhor

Djathtas 1912: Mbështetje për Strategjinë e SPAK kundër Krimit Zgjedhor

42
0

Siç ishte paralajmëruar, SPAK ka bërë sot publike strategjinë e tij për organizimin dhe funksionimin në luftën kundër krimit zgjedhor. Përkushtimi i prokurorëve të SPAK dhe hetuesve të BKH, të shpërndarë në 12 qarqet zgjedhore dhe 61 bashkitë, përbën një hap pozitiv dhe serioz në parandalimin dhe ndëshkimin në kohë të krimeve zgjedhore.

Ndërkohë, pushteti ka kohë që ka vënë në zbatim një plan për deformimin e votës së shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, përmes shkeljeve ligjore dhe manipulimeve zgjedhore. Faktet që kanë dalë në dritë, përfshirë patronazhimin e votës së diasporës me anë të formularëve të shpërndarë administratës publike, përfshirjen e eksponentëve të lartë politikë dhe shtetërorë në “asistimin” e regjistrimit të votuesve në diasporë, dhe publikimin e hapur të këtyre veprimeve në rrjetet sociale, janë shenja të qarta të një skeme manipulimi. Po ashtu, miratimi dhe shpërndarja e “bonusit” të pranverës për pensionistët në një periudhë kur ndalimi ligjor i këtyre praktikave ka hyrë në fuqi, përbën një tjetër fakt që kërkon hetim të menjëhershëm nga SPAK.

Djathtas 1912 e përshëndet këtë hap të rëndësishëm të SPAK dhe zotohet se, për çdo rast të dyshimtë të krimeve zgjedhore dhe përpjekjeve për deformimin e vullnetit të shqiptarëve, do të depozitojë kallëzime penale në kohë reale. Ky është një detyrim politik, ligjor dhe një shërbim ndaj shqiptarëve për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta. Po ashtu, inkurajojmë qytetarët të denonocojnë çdo rast të manipulimit të proçesit zgjedhor.

Në këtë kuadër, pranë Djathtas 1912 është ngritur një grup juristësh ekspertë, të cilët do të bashkëpunojnë dhe do të lehtësojnë punën e SPAK në këtë proçes jetik për demokracinë shqiptare.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje çdo subjekti politik dhe çdo kandidati që të angazhohet jo vetëm për të mos u përfshirë në krime zgjedhore, por edhe për të ndihmuar SPAK në zbatimin e ligjit. Çdo akt hetimor dhe penalizues duhet të pranohet me vullnet të plotë nga të gjithë aktorët politikë, si një garanci për zgjedhje të ndershme dhe të lira.

Vetëm në këtë mënyrë i shërbehet zgjedhësve shqiptarë dhe demokracisë në Shqipëri!