Ballina Kulturë Ekspozitë dokumentare dhe fotografike mbi strehimin e hebrenjve nga familjet shqiptare

Ekspozitë dokumentare dhe fotografike mbi strehimin e hebrenjve nga familjet shqiptare

26
0

Një ekspozitë dokumentare dhe fotografike u çel mbi strehimin e hebrenjve nga familjet shqiptare. Në tematikën e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH) dhe ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut hapi këtë ekspozitë. Në mesin e materialeve të përzgjedhura për ekspozim nga DPA-ja, gjendeshin: Korrespondenca e Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare me Legatat shqiptare në Londër dhe në Paris mbi mundësinë e instalimit të izraelitëve në Shqipëri; Urdhëresa e Ministrisë së Punëve të Brendshme drejtuar prefekturave mbi ardhjen dhe qendrimin e izraelitëve në Shqipëri; Korrespondenca e Ministrisë së Punëve të Brendshme me Prefekturën Krujë mbi transferimin e hebrenjve nga një lokalitet në tjetrin, etj.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, z. Izet Mexhiti, parlamentarë të shumtë, drejtuesi i ITSHKSH-së, z. Skënder Asani, ambasadori z. Denion Meidani dhe përfaqësues të tjerë të trupave diplomatike. Sipas njoftimit të DPA-së të pranishmit patën mundësinë të njiheshin me të dhëna lidhur me masat e ndërmarra prej institucioneve shtetërore shqiptare, për të siguruar mbarëvajtjen e qëndrimit të hebrenjve. DPA thotë se duke patur si synim promovimin e historisë unike të qëndrimit të hebrenjve në Shqipëri, gjatë viteve të errëta të Luftës së Dytë Botërore, nënshkroi vite më parë një marrëveshje bashkëpunimi me Autoritetin e Përkujtimit të Martirëve dhe të Heronjve të Holokaustit, “Yad Vashem”.