Ballina Aktualitet Koçiu: Pajisje moderne në Spitalin Universitar të Traumës për trajtimin e patologjive...

Koçiu: Pajisje moderne në Spitalin Universitar të Traumës për trajtimin e patologjive delikate

46
0

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se në Shërbimin e Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar të Traumës tashmë punohet me teknologji të avancuar.

Sipas ministres Koçiu, investimet e reja në sallën operatore me pajisjet më moderne, si O-Arm janë një teknologji e avancuar që mundëson trajtimin e patologjive delikate me saktësi maksimale.

“Gjithashtu është shtuar endoskopia për ndërhyrje mini-invazive, duke garantuar më shumë siguri, trajtim më efikas dhe një rikuperim më të shpejtë për pacientët”, theksoi Koçiu.

Fatos Olldashi, shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë pranë spitalit të Traumës thotë se spitali është pajisur me aparaturat më moderne që disponojnë sallat e operacionit të neurokirurgjisë.

“Blerja e aparaturës O-Arm është një skaner brenda sallës së operacionit që bën të mundur kryerjen e interventeve shumë precize dhe delikate, të cilat janë pjesë e patologjive që trajtohen në shërbimin e neurokirurgjisë. Po ashtu është blerë edhe pajisja e endoskopisë neurokirurgjikale që shërben për kryerjen e operacioneve mini-invazive me një hapje shumë të vogël të lëkurës së pacientit arrihet të realizohet trajtimi i patologjisë qoftë traumatike apo tumorale”, tha Olldashi.

Mjeku foli edhe për blerjen e neuornavigatorit dhe neuoromonitorit.

“Natyrisht, mikroskopi ka qenë prezent në investimet që ka kryer më parë Ministria e Shëndetësisë dhe të gjitha këto pajisje përbëjnë atë armaturën kryesore të një sallë operacioni neurokirugjikale moderne dhe të një standardi perëndimor në botë”, përfundoi mjeku Olldashi.