Një nga malet më të shquara të Zelandës së Re, Taranaki Maunga, tani ka statusin ligjor të një personi. Ky zhvillim historik erdhi pas miratimit të një ligji të ri që i jep malit të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë e një njeriu. Ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm në njohjen e të drejtave të popullit indigjen Maori dhe mbrojtjen e mjedisit natyror.
Ligji i ri e përshkruan Taranaki Maunga si një “qenie të gjallë dhe të pandashme”. Ky status nënkupton se mali ka të drejta ligjore dhe mund të mbrohet nga përfaqësuesit e tij ligjorë, të cilët janë katër anëtarë të zgjedhur nga fiset Maori dhe katër të tjerë të emëruar nga Ministria e Ruajtjes së Mjedisit.
Për Maorët, mali ka qenë gjithmonë një paraardhës i nderuar, një burim frymëzimi kulturor dhe shpirtëror, si dhe një vend i shenjtë. Megjithatë, pas kolonizimit të Zelandës së Re nga britanikët, Maorët u privuan nga e drejta e tyre mbi mal dhe toka përreth.
Në vitin 1770, eksploratori britanik James Cook e quajti malin “Mount Egmont”, duke zhvendosur emrin Maori. Ndërsa në vitin 1865, qeveria koloniale konfiskoi një pjesë të madhe të tokës së rajonit Taranaki, për të ndëshkuar Maorët për rezistencën e tyre kundër qeverisjes britanike. Kjo grabitje e tokës ishte një nga shkeljet e shumta të Traktatit të Waitangi, që supozohej të mbronte të drejtat e Maorëve.
Zelanda e Re ka qenë pararendëse në njohjen ligjore të natyrës si entitete juridike. Në vitin 2014, pylli i Te Urewera mori statusin e personit ligjor, duke kaluar nga pronësia shtetërore në një model që e menaxhon së bashku me popullin Maori Tūhœe. Po ashtu, lumi Whanganui u shpall si person ligjor në vitin 2017.
Ligji për njohjen e personalitetit ligjor të Taranaki Maunga u miratua unanimisht nga Parlamenti i Zelandës së Re, me 123 vota pro./BBC