Ballina Kulturë TKOB: Tish Daija themelues i baletit shqiptar me vepra si ikonike si...

TKOB: Tish Daija themelues i baletit shqiptar me vepra si ikonike si “Halili dhe Hajria” dhe “Bijtë e Peshkatarit

29
0

Kompozitori Tish Daija me baletin “Halili dhe Hajrija” (1962) u bë krijuesi i baletit të parë shqiptar. Kompozoi gati në të gjitha format e gjinitë muzikore, edhe muzikë filmi. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit të enjten kujtoi kompozitorin Tish Daija (30 janar 1926 – 3 tetor 2003) mjeshtri i madh i muzikës shqiptare i nderuar me titullin “Nderi i Kombit”.

TKOB shprehet se është një nga kontribuesit më të shquar në pasurimin e artit muzikor. “Një figurë monumentale e kulturës shqiptare, ai është kompozitori i baletit të parë shqiptar, mjeshtër i muzikës në të gjitha gjinitë, pedagog e akademik, drejtues historik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, dhe një nga kontribuesit më të shquar në pasurimin dhe modernizimin e artit muzikor shqiptar.

Me një krijimtari të pasur, Tish Daija lartësoi muzikën shqiptare, duke e vendosur atë në skenat kombëtare e ndërkombëtare. Ai ishte themelues i baletit shqiptar, me vepra ikonike si “Halili dhe Hajria” (1963) dhe “Bijtë e Peshkatarit” (1972), dhe autor i operave të njohura si “Pranvera” (1960) dhe “Vjosa” (1980)”, shprehet teatri.

Si udhëheqës artistik i Ansamblit Popullor për 18 vite, ai riktheu dhe modernizoi thesarin muzikor popullor shqiptar, duke e prezantuar denjësisht në skenat botërore. Nën drejtimin e tij, ansambli u nderua me “Gjerdanin e Artë” në Dijon të Francës, ndër shumë vlerësime të tjera prestigjioze.

TKOB shprehet se ndikimi i tij shtrihet edhe në edukimin muzikor, duke qenë një nga themeluesit e klasës së kompozicionit në Konservatorin e Tiranës dhe një mentor i disa brezave kompozitorësh. “Muzika e tij mbetet pasuri e pashtershme, ku këngë si “Çikë o mori çikë”, “Sylarysha”, dhe “Ndal, bre vash” ruhen si thesare të kulturës sonë”, thuhet nga teatri. Tish Daija  ndërroi jetë më 3 tetor 2003, por muzika dhe trashëgimia e tij mbeten të pavdekshme.