Organizata “Faktoje” publikoi rezultatet e monitorimit të transarencës në 10 bashkitë e Shqipërisë për vitin 2024. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, pjesa më e madhe e bashkive të monitoruara kanë një nivel të ulët të transparencës me publikun.
Mungesë transparence vërehet në lidhje në planifikimin e buxhetit, paketën e taksave dhe tarifave si dhe vendimet e urdhërat e marra nga kryetarët. Ndërkohë, nga 40 premtimet e monitoruara, organizata “Faktoje” ka vërejtur se 21 prej këtyre nuk janë mbajtur nga bashkitë e monitoruara.
Raporti i monitorimit të transparencës së 10 bashkive në Shqipëri, realizuar nga organizata e pavarur mediatike “Faktoje”, evidenton faktin se, megjithë përmirësimet e viteve te fundit në fushën e transparencës dhe llogaridhënies për publikun, bashkitë vazhdojnë të kenë nivel të ulet në këtë drejtim.
Monitorimi është realizuar në bashkitë e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Korçës, Dibrës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Kavajës dhe Sarandës dhe është pjesë e programit “40 premtime-10 Bashki”. Raporti, sipas gazetares pranë “Faktoje”, Esmeralda Topi, veçon bashkinë e Fierit për performancën më të dobët në drejtim të transparencës dhe bashkinë e Durrësit për mosmbajtjen e premtimeve.
“ Durrësi ka problematikë sepse është një nga qytetet më të prekura nga tërmeti i 2019-ës dhe aty premtimet kryesore janë për rindërtimin. Janë ende qindra familje që nuk kanë një çati mbi kokë, ndonëse kemi 5 vite nga tërmeti. Dhe janë shkelur shumë afate dhe janë marrë shumë premtime. Ndërsa, përsa i përket bashkisë së Fierit, ka problematikë përsa i përket transparencës, sepse nuk zbatojnë indikatorët e transparencës dhe nuk publikojnë vendimet e kryetarit të bashkisë, urdhërat dhe mbledhjet e Këshillit Bashkiak”, thotë ajo.
Verifikimet në terren dhe informacionet e grumbulluara nga ekspertët, gazetarët dhe veprimtarë të shoqërisë civile tregojnë se nga 40 premtimet e verifikuara për 10 bashkitë, 21 prej tyre kanë mbetur të pambajtura.
Ekspertja Erisa Proko thotë se, mungesë transparence është vërejtur edhe në drejtim të shërbimeve sociale, që realizohen nga bashkitë. Ajo thotë se, nga verifikimet e kryera, vërehen të dhëna të ndryshme mes bashkive dhe institucioneve qendrore, gjë që lë të kuptohet për mungesë transparence ndaj një shërbimi kaq të nevojshëm për komunitetin.
“ Fakti që dy nga institucionet kryesore, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Social Shtetëror, raportojnë për të njëjtin shërbim dhe për të njëjtën bashki vlera finaciare të ndryshme, na bën të mendojmë se ka nevojë për një lloj përmirësimi, një lloj ndërhyrje, që të jetë në funksion të ndërtimit të një sistemi të unifikuar për mënyrën e raportimit të të dhënave”, thotë ajo.
Në pjesën më të madhe të bashkive të përfshira në monitorim, sipas ekspertes Proko, mungon transparenca si planifikohet dhe menaxhohet fondi social.
“ Nëpër faqet zyrtare të bashkive nuk ka informacion në lidhje me mënyrën se si shpenzohet fondi social, si zbatohet, cilat janë projektet që mbështeten nga fondisocial. Publikimi i tyre do të ndihmonte shumë publikun dhe të gjithë të interesuarit”.
Raporti monitorimit veçon se 7 nga 10 bashkitë e monitoruara kanë realizuar konsultime publike për hartimin e buxhetit, ndërsa për paketën e taksave dhe tarifave vendore vetëm 6 bashki kanë zhvilluar konsultimet publike. Ndërkohë, mbetet e ulët transparenca në lidhje me publikimin e vendimeve dhe urdhërave të kryetarëve të bashkive pasi, vetëm 4 nga 10 bashkitë e monitoruara kanë publikuar këto dokumente.
“Faktoje” është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).