Ishulli i Santorinit po përballet me një valë tërmetesh që ka shkaktuar panik dhe largime masive të turistëve dhe banorëve. Në pesë ditët e fundit janë regjistruar mbi 555 lëkundje sizmike, nga të cilat të paktën 200 kanë qenë mbi 3 ballë të shkallës Rihter, ndërsa më i fuqishmi ka arritur magnitudën 4.9. Aktiviteti sizmik po ndryshon nga ora në orë, duke rritur pasigurinë mes njerëzve që po përpiqen të largohen sa më shpejt nga ishulli.
Radha e automjeteve që presin të imbarkohen në tragete është kilometrike, ndërsa kërkesat për bileta janë rritur ndjeshëm. Porti ka hasur vështirësi dhe lëvizjet janë pothuajse të ndaluara për shkak të problematikave të krijuara nga tërmetet. Linjat ajrore kanë rritur numrin e fluturimeve për të evakuuar njerëzit, por kjo ka sjellë protesta për shkak të rritjes së çmimit të biletave.
Sizmologët kanë paralajmëruar se aktiviteti sizmik mund të vazhdojë edhe për disa javë. Ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë e një tërmeti më të fuqishëm, por theksojnë se nuk pritet një ngjarje katastrofike si ajo e vitit 1956, e cila shkaktoi një cunami. Po ashtu, është ngritur shqetësimi për një aktivitet vullkanik të mundshëm, pasi Santorini ka histori shpërthimesh periodike çdo 50 vjet.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet e sigurisë, ndërsa situata po monitorohet nga afër nga ekspertët dhe qeveria greke.