Arbitrimi në ndeshjen mes Espanjolit dhe Realit të Madridit ka shkaktuar tensione të mëdha, duke çuar në një vendim të fortë ndaj gjyqtarit kryesor, Alehandro Munjiz Ruiz. Ai është ndëshkuar pas një gabimi të rëndë që kishte të bënte me mos përjashtimin e Karlos Romeros (Espanjol) për ndërhyrjen e ashpër ndaj Mbapesë. Po ashtu, edhe gjyqtari i VAR-it, Iglesias Vijanueva, është përjashtuar nga ndeshjet e Kupës së Mbretit.
Në një reagim të ashpër, presidenti i Komitetit Teknik të Arbitrave, Luis Medina Kantaleho, ka thirrur një takim urgjent me të gjithë gjyqtarët për të diskutuar mbi gabimet që kanë ndodhur gjatë ndeshjeve të fundjavës. Gjyqtarët po përballen me kritika të forta, ndërsa Federata Spanjolle e Futbollit është njoftuar për situatën.
Reali i Madridit ka dërguar një letër të ashpër në Federatë, ku ka theksuar se gabimet e arbitrit në këtë ndeshje kanë kaluar çdo kufi të gabimit njerëzor dhe interpretimit të rregullave. Klubi madrilen ka akuzuar arbitrat për një manipulim të mundshëm të kompeticionit dhe për standarde të dyfishta në favor të disa skuadrave, duke nënkuptuar se vendimet kanë qenë të dëmshme për Realin.