Ballina Ekonomia Pension 550 euro në muaj? – Studimi: Shpenzimet fikse të pensionistëve arrijnë...

Pension 550 euro në muaj? – Studimi: Shpenzimet fikse të pensionistëve arrijnë deri në 800 euro

82
0

Pensionistët përballen me një të ardhur fikse që nuk mund të ndryshojë lehtësisht për shkak të pensioneve të caktuara dhe të kufizuara që marrin, por nga ana tjetër kanë edhe shpenzime fikse të cilat janë edhe më të larta se pensionet mujore.

Sipas një studimit të “ALTAX”, shpenzimet fikse të pensionistëve përfshijnë shpenzimet për ushqim të cilat llogariten në rreth 15,000 – 30,000 lekë në muaj, varësisht nga niveli i jetesës dhe vendbanimi.

Shpenzimet për medikamente, trajtime mjekësore dhe vizita tek mjekët janë të domosdoshme për pensionistët dhe mund të arrijnë një shumë të konsiderueshme. Vlera e mundshme është rreth 5,000 – 15,000 lekë në muaj, varësisht nga nevojat shëndetësore individuale dhe mbulimi i sigurimeve shëndetësore.

Shpenzimet për energjinë (elektricitet, ngrohje) dhe shërbimet e tjera të nevojshme llogariten në rreth  5,000 – 10,000 lekë në muaj, varësisht nga kushtet e strehimit dhe përdorimi i energjisë.

Transporti për pensionistët mund të jetë një shpenzim tjetër i rëndësishëm, sidomos për ata që duhet të udhëtojnë për nevoja shëndetësore, shërbime publike apo aktivitete të përditshme. vlera e mundshme është rreth 2,000 – 5,000 lekë në muaj.

Shpenzimet për strehimin,  të cilat përfshijnë qiranë (nëse jetojnë me qira) ose pagesat për shpenzimet e mirëmbajtjes të shtëpisë llogariten në 10,000 – 20,000 lekë në muaj, varësisht nga vendbanimi dhe kushtet e shtëpisë.

Shuma totale e shpenzimeve fikse për një pensionist është midis 37,000 – 80,000 lekë në muaj (varësisht nga faktorët e përmendur).

Studimi arrin në konkluzionin se për një jetesë dinjitoze të kësaj kategorie do të duhet një pension më i lartë për të siguruar një nivel të kënaqshëm jetese.

Pensioni pa përfshirë qiranë, sugjerohet në  rreth 45,000–55,000 lekë në muaj për një pensionist, duke mbuluar ushqimin, energjinë, kujdesin shëndetësor dhe shpenzimet e tjera.

Dhe rreth 60,000–70,000 lekë në muaj për një pensionist që paguan qira.

Ky pension do të sigurojë mundësinë për të përballuar nevojat themelore, por gjithashtu për të pasur mundësi për aktivitete sociale dhe rekreative, kursime për emergjenca dhe pjesëmarrje aktive në jetën shoqërore.