Gentian Çala, Sekretari politik i qarkut Korçë në radhët e Partisë se Lirisë, ka denoncuar tendera problematikë në bashkitë e këtij qarku.
Sipas tij gjatë vitit 2024, janë regjistruar 31 tenderë me ofertë të vetme dhe pa konkurrencë në bashkitë e Korçës, 16 në bashkinë e Pogradecit, 14 në bashkinë e Maliqit dhe 10 në atë të Kolonjës.
Gentian Cala thekson se ky fenomen është veçanërisht i dukshëm në vitet elektorale, ku paratë kalojnë tek klientët e pushtetarëve.
Postimi plote
“Lista e gjatë e tenderave problematike në bashkitë e qarkut tonë vazhdon. Gjatë vitit 2024 tendera me probleme kanë qenë: 31 në Bashkinë e Korçës, 16 në Bashkinë e Pogradecit, 14 në Bashkinë e Maliqit dhe 10 në Bashkinë e Kolonjës. Tenderë me dhjetëra e qindra milionë lekë, të cilat janë me ofertë të vetme, pra mungon konkurrenca, ku fitues nuk del ofertuesi me vlerë më të ulët, ose me problematike të tjera, shtohen muaj pas muaji.
Mesa duket askush nuk kujtohet t’i hetojë apo të marrë masa për diçka të tillë, paraja publike vazhdon që të abuzohet.
Mesa duket u ka dalë frika, sepse ne kemi drejtësi të kapur, drejtësinë e Ramaforma. Këta që marrin dhe hetojnë një opozitar për largimin nga puna të një drejtori nuk kanë këllqe të shohin se çfarë ndodh me prokurimet publike.
Tërheqim vëmendjen se kjo dukuri duket më evidente në vitet elektorale ku paraja publike u kalon klientëve të pushtetarëve, sepse kështu janë ca punë. Me një dorë japim dhe me një dorë marrim.
Biznesi dhe qytetarët e ndershëm e dinë se cilët janë klientët dhe sesi bëjnë kërdi me punë publike sepse në një regjim vetëm disa janë të nënës e shumica janë të njerkës.
Ky fenomen mund të marrë fund vetëm me rotacionin politik, sepse ne nuk presim që të jenë zgjidhja ata që janë problemi. Kurse ata që e kanë për detyrë të hetojnë dhe nuk e bëjnë janë thjesht duke shpërdoruar detyrën.
Mos harroni ti ndëshkoni me votë në 11 maj, përndryshe e keqja do t’u martë frymën më keq seç e ka bërë deri më tani.