Ballina Ekonomia Durrësi kalon Tiranën për rritjen e kredisë – Korça, e vetmja ku...

Durrësi kalon Tiranën për rritjen e kredisë – Korça, e vetmja ku huaja konsumatore preferohet si ajo për blerje banese

51
0

Viti 2024 është mbyllur me një bilanc më të lartë të kredisë se në 2023. Në fund të tremujorit të katërt, totali i kredive të marra nga individët ka arritur në 309 miliardë lekë, gati 14% më shumë se në fund të vitit 2023.

Por, në cilin prej qarqeve rezulton të jetë marrë më shumë kredi?

Duke qenë se pjesa më e madhe e popullsisë është e vendosur në Tiranë, edhe shumica e kredive rezultojnë të përqendruara në këtë qark. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, vlera e kredive në qarkun e Tiranës kap shifrën e 207 miliardë lekëve.

Tirana ndiqet nga Durrësi, i cili numëron rreth 21 miliardë lekë hua, ndërsa Vlora dhe Fieri janë qarqet e tjera me më shumë kredi, konkretisht me 9.2 miliardë dhe 8.6 miliardë lekë.

Pavarësisht se stoku i kredisë është më i madh në Tiranë, durrsakët rezultojnë me rritjen më të lartë të huasë në 2024. Statistikat zyrtare tregojnë se Durrësi ka pasur një rritje me gati 20% të totalit, ndjekur nga Tirana me 14.7% dhe Fieri me 13.1%.

Ajo çfarë vërehet është se huaja për blerje banese dominon në të gjitha qarqet, me vetëm Shkodrën dhe Korçën që kanë një raport më të ngushtë të kredisë konsumatore dhe asaj për blerje banese. Konkretisht, huaja për konsum në Korçë vlerësohet në 2.5 miliardë lekë dhe për blerje banese në 2.9 miliardë.

Ndërkohë, në Tiranë ka një hendek të madh midis këtyre të dyjave, ku huaja për blerje banese është më e preferuara me 152 miliardë, ndërsa kredia konsumatore në 48 miliardë lekë.