“Marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të ulëta. Albin Kurti është dënuar nga administrata e parë Trump, administrata e Bidenit, NATO, BE, Ambasada e SHBA-së, Anthony Blinken etj”, kështu iu kundërpërgjigjjë i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Misionet, Richard Grenell, kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili një ditë më parë iu kishte përgjigjur Grenellit duke thënë se marrëdhëniet me SHBA-në janë më të forta se kurrë.
Kurti, i cili po kërkon një mandat të dytë, i është përgjigjur për herë të parë kritikave nga Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Misionet, i cili së fundi e cilësoi liderin e Vetëvendosjes si një partner jo të besueshëm për Uashingtonin.
Në një intervistë për mediat e Kosovës, Kurti ka hedhur poshtë komentet e Grenellit, duke thënë se marrëdhënia e Kosovës me SHBA-në aktualisht është në nivelin më të mirë që nga fillimi i saj. Ai gjithashtu e pozicionoi veten si një aktivist dhe jo si analist, duke sugjeruar se komentet e Grenell ishin interpretime mediatike dhe jo citate të drejtpërdrejta.
Ndërsa pranoi se SHBA-të kanë shprehur shqetësime dhe kritika, Kurti theksoi se reagimet e tilla janë konstruktive dhe e ndihmojnë Kosovën të ecë përpara. Ai më tej ka pohuar se nën udhëheqjen e tij, lidhjet e Kosovës me SHBA-në janë forcuar jo vetëm diplomatikisht por edhe në fushën e sigurisë dhe energjisë.
Më 3 shkurt, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve në Kosovë, Richard Grenell kritikoi ashpër Albin Kurtin. Në një postim në X (dikur Tëitter), Grenell deklaroi:
“Qeveria Kurti ishte e pabesueshme gjatë mandatit të parë të Trump, dhe gjithashtu ka qenë jo e besueshme gjatë mandatit të Bidenit”.
Krahas kësaj, Grenell pohoi se kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por jo në Kosovë dhe fajësoi Kurtin për këtë mungesë investimesh.