Ballina Bota Një qytet në Kaliforni bashkëpunon me autoritetet federale në dëbimin e imigrantëve

Një qytet në Kaliforni bashkëpunon me autoritetet federale në dëbimin e imigrantëve

43
0

Agjentët e Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara po ndalojnë emigrantë pa dokumente në kuadër të fushatës së Presidentit Donald Trump kundër imigracionit të paligjshëm. Shumë prej këtyre arrestimeve janë bërë në Kaliforni, ku qyteti Huntington Beach po sfidon qëndrimin e shtetit, duke bashkëpunuar me agjencitë federale të imigracionit.

Kalifornia është një shtet që kufizon bashkëpunimin e policisë lokale me zyrtarët federal të imigracionit, duke i ndaluar ata të veprojnë si agjentë të imigracionit, ose të bëjnë arrestime të imigrantëve të paligjshëm.

Brenda Kalifornisë, që është deklaruar si shtet strehë për imigrantët, qyteti Huntington Beach është vetëshpallur “qytet, që në emër të parandalimit të krimit, nuk mbron imigrantët e paligjshëm”.

“Nëse një person pa dokumente kryen krime të rënda, unë dua që ai të dëbohet. Unë dua që ne të kemi praninë e çdo niveli të forcave të zbatimit të ligjit për ta mbajtur komunitetin tonë sa më të sigurt. Nëse nuk kemi praninë e tyre, atëherë ne mund të lironim dikë që nuk do dëshironim të rikthehej në komunitetin tonë”, thotë kryebashkiaku i qytetit, Pat Burns.

Mai Do nga Instituti “Harbour”, që merret me kërkime dhe mbështetje politike për organizatat lokale pro-imigracionit, thotë se nuk ka asnjë provë që qytetet që strehojnë imigrantët janë më pak të sigurta.

“Studimet kanë vërtetuar se në qytetet që strehojnë emigrantët, në fakt ka patur një ulje të krimit, kështu që politikanët në qytetin Huntington Beach, që thonë se po përpiqen të heqin dorë nga mbrojtja e imigrantëve me justifikimin se kjo do të përmirësonte sigurinë publike, në fakt nuk po e bëjnë këtë”, thotë ajo.

Charlie Zablah, pronar i një restoranti lokal mbështet vendimin e drejtuesve të qytetit.

Me kalimin e kufirit dhe hyrjen ilegale në vend, këta imigrantë kanë kryer një krim. Pra, kanë shkelur ligjin dhe kjo nuk është e pranueshme. Unë kam ardhur këtu në rrugë ligjore. Bëra atë që ishte e drejtë. Prita në radhë dhe pagova detyrimet e mia. Më janë dashur 12 vjet që të merrja shtetësinë”, thotë pronari i restorantit “Charlie’s Gyros”.

Prania e paligjshme në Shtetet e Bashkuara është një shkelje civile, jo një vepër penale. Hyrja e paligjshme është kundërvajtje. Rihyrja ilegale, pasi të jesh dëbuar një herë, është një vepër penale që dënohet me deri në dy vjet burg.

Urdhri ekzekutiv i Presidentit Donald Trump kundër imigracionit të paligjshëm parashikon mohimin e fondeve federale për të gjitha shtetet dhe qytetet e deklaruara si strehë të sigurta për imigrantët. Nuk është ende e qartë se cilat fonde federale do t’u shkurtohen këtyre juridiksioneve, përfshirë Kaliforninë.

Vendimi i drejtuesve të qytetit Huntungton Beach për t’u deklaruar një qytet që nuk ofron strehë për imigrantët, është kryesisht simbolik, pasi ata nuk kontrollojnë forcat lokale të zbatimit të ligjit, thotë profesorja e drejtësisë e Universitetit të Kalifornisë në Irvine, Annie Lai.

“Ky deklarim nga qyteti do të ketë ndikim të kufizuar, sepse në përgjithësi qytetet nuk kanë burgje. Ato kontrollohen nga Departamenti i Policisë në qarkun Orange, që është një subjekt tjetër vendimmarrës”, thotë ajo.

Kur Kalifornia miratoi ligjin për mbrojtjen e imigrantëve në 2017, administrata e parë e Presidentit Trump argumentoi në gjykatë se kjo përbënte pengesë për autoritetet e imigracionit në zbatimin e ligjit federal. Një gjykatë apeli vendosi në favor të Kalifornisë dhe Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara nuk pranoi ta shqyrtonte çështjen.