Nga Denis Dyrnjaja
Njeriu më i pushtetshëm sot në Shqipëri është Edi Rama. Ai ka siguruar 3 mandate qeverisës rresht në krye të PS që nga viti 2013, pasi la pas 3 mandate qeverisjeje në krye të bashkisë së Tiranës nga viti 2000 deri në vitin 2011.
Praktikisht Rama ka më shumë se 25 vjet në pushtet duke përfshirë edhe eksperiencën e parë të tij si ministër kulture në qeverinë Fatos Nanos dhe sigurisht kaq shumë vite nuk janë pak, por nuk janë dhe të zakonshme për karrierën e një politikani. Për rreth 3 muaj zhvillohen zgjedhjet politike të 11 Majit në Shqipëri dhe kryeministri rekordmen i demokracisë për nga mandatet kryeministrore, pra më jetgjati në postdiktaturë, synon të marrë mandatin e katërt.
Ka një tendencë të vazhdueshme për t’i treguar atij se duhet të largohet dhe t’i hapë rrugën të tjerëve, pra të lërë pushtetin me vullnetin e tij apo të hapë krahun sikurse i thonë në zhargon popullor. Në komunikimet që Rama ka përmes rrjeteve sociale i parashtrohet kjo kërkesë a ftesë përse nuk largohesh? Ose kur do largohesh? Madje e krahasojnë edhe me Enver Hoxhën në kohëzgjatje, por edhe në disa metoda të ushtrimit të pushtetit autoritarist të vendimarrjes absolute.
Ndërkohë përgjigjja e tij është se kur të mos e duan më shqiptarët, pra kur të mos e votojë më shumica e njerëzve ai do të ikë. Rama thotë se detyra e kryeministrit është një punë, jo një ofiq për luks, që populli ta ngarkon përmes besimit me votë, duke të deleguar pushtetin për të punuar për vendin dhe përsa kohë ky besim do të jetë i shumicës nuk kam përse të tërhiqem. Pra ai e lidh funksionin që ka me hallet dhe kokëçarjet, jo me rehatinë dhe luksin e postit.
Nga pikëpamja politike kjo është një përgjigje për të gjithë ata që kërkojnë t’i marrin vendin e punës Ramës. Kjo do të thotë se pamundësia për ta mundur në zgjedhje, nuk mund të kthehet në lutje dëshpëruese kur do ikësh, se nuk po të mundim dot edhe pse këtë kundërshtarët nuk e pranojnë. Ata besojnë se Rama është në pushtet, pra në punë si kryeministër, vetëm për shkak të manipulimit të zgjedhjeve. Por ky pretendim është sa subjektiv dhe relativ.
Është deri diku i besueshëm që procesi zgjedhor nuk është i pastër, por nuk është aq i provueshëm që të jetë bindës se Rama është i pavotueshëm apo është pakica e shndërruar në mënyrë të padrejtë në shumicë. Kjo do të thotë se e vetmja mënyrë për ta larguar për të gjithë ata që duan t’i zënë vendin e punës duke u marrë me politikë, është ta mundin atë në zgjedhje dhe të gjejnë mënyrën ose mënyrat për ta bërë këtë. Nëse ata nuk janë të aftë, ky nuk është problemi i Ramës, por paaftësia e tyre që nuk dinë si të fitojnë ose si ta heqin nga “puna”.
Nuk ka dhurim të vendit të punës, pra “pushtetit” por ka konkurrim për ta marrë atë vend. Sigurisht situata është pak e komplikuar se lakmojnë shumë vetë të njëjtin dhe vetëm një vend të mundur pune, të bëhesh kryeministër. Dhe rivalët besojnë se punëbesuari nuk lejon garën e ndershme, por ndërkohë është dilemë edhe pandershmëria e garës apo dhe paaftësia e kundërshtarëve për t’i bindur shqiptarët se dikush prej tyre mund ta bëje punën e kryeministrit më mirë se Ramë punëtori.
Në çdo rast ai vendin se lëshon dhe këtyre të tjerëve u mbetet vetëm një shteg, të gjejnë mënyrën sesi ta shpunësojnë. Deri në 11 maj kontrata e punës së Ramës vijon të jetë në fuqi.
Më 11 maj shqiptarëve në rolin e punëdhënësit status që e marrin një herë në katër vjet, do ju duhet t’ia prishin apo rinovojnë kontratën për t’ia besuar edhe për 4 vite të tjera punën e sikletshme të kryeministrit i cili duhet të mbajë veç halleve të popullit në kurriz edhe hallet e brigadave të punës së tij që gjatë kohës që kryeministri punon ata hanë dardha