Ballina Europë Rusia synon ashpërsimin e rregullave për lirim nga shërbimi ushtarak

Rusia synon ashpërsimin e rregullave për lirim nga shërbimi ushtarak

28
0

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë synon t’i shtrëngojë rregullat e ushtrisë për t’ua bërë më të vështirë rekrutëve lirimin nga shërbimi ushtarak, përfshirë atyre që janë të diagnostikuar me sifiliz, shtypje të lartë të gjakut dhe çrregullime të rënda mendore.

Ky propozim u publikua vetëm në një portal zyrtar të Qeverisë ruse, por Lëvizja e Kundërshtarëve të Ndërgjegjshëm, një grup rus kundër luftës, ngriti alarmin duke thënë se propozimi “do ta përkeqësojë tej mase gjendjen e rekrutëve dhe personelit ushtarak”, nëse pranohet.

Artyom Klyga, avokat nga ky grup, tha për Current Time se ai dhe kolegët e tij u kanë ndihmuar ushtarëve dhe të thirrurve në ushtri për të marrë leje mjekësore prej kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ishte vetëm çështje kohe para se zyrtarët rusë të fillonin ashpërsimin e rregullave në lidhje me lirimin nga shërbimi ushtarak, tha Klyga në një intervistë të publikuar më 6 shkurt.

“Mbase, kam tërë vitin që pres duke menduar: ‘Kur do t’i fillojë Qeveria këto ndryshime në mënyrë që ta mbyllë këtë hendek ligjor?’”, tha Klyga për Current Time.

Shtatë muaj pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Qeveria e tij urdhëroi mobilizim zyrtar, i cili ende nuk është mbyllur zyrtarisht, në një luftë në të cilën Rusia ka mbi 700.000 të vrarë apo plagosur.

Megjithatë, Qeveria e tij ka kërkuar rrugë tjera për t’i shtuar radhët e veta duke e shmangur, njëkohësisht, çështjen e ndjeshme politike të mobilizimit masiv. Ndër to është dërgimi në vijën e frontit i ushtarëve nga Koreja e Veriut dhe duke ua bërë më të lehtë kriminelëve të dënuar dhe të dyshuarve që të shërbejnë në ushtri.

Rregullat e propozuara, të cilat do ta bëjnë më të vështirë marrjen e pushimit mjekësor edhe për ata që janë rekrutuar apo janë regjistruar për të luftuar, do ta ndryshojnë edhe listën e sëmundjeve që e lirojnë një ushtar nga shërbimi në ushtrinë ruse.

Kjo nënkupton se një ushtar do ta ketë më të vështirë ta shmangë shërbimin në ushtri për shkak të shtypjes së lartë të gjakut, astmës dhe obezitetit. Rregullat e tanishme thonë se të diagnostikuarit me sifiliz latent nuk janë subjekt i thirrjes në ushtri gjatë kohës së paqes, por rregullat e propozuara tani thonë se ata janë të aftë për të shërbyer në një varg rolesh ushtarake, si inxhinierë, sinjalizues dhe teknikë.

Rregullat e propozuara, gjithashtu, i cilësojnë të diagnostikuarit me probleme të rënda mendore, për shkak të stresit dhe ndryshimit të humorit, si të aftë për të shërbyer në kohë lufte. Rregullat e tanishme i cilësojnë ata si “të paaftë për të shërbyer në ushtri”.

Klyga tha për Current Time se, me rregullat e propozuara do të ketë diagnoza gjatë mobilizimit dhe kohës së luftës, që nënkupton se diagnoza e re e një rekruti apo një ushtari nuk lejon lirimin nga shërbimi në ushtri derisa të përfundojnë këto periudha.

“Janë premtuar shumë ndryshime që nga vitet 2000, por asnjëra prej tyre nuk prekte çështjet e rekrutimit apo mobilizimit”, theksoi Klyga.

“Sapo u shpall [mobilizimi] në shtator 2022, ne e kuptuam se kemi shumë lëshime në legjislacion”, shtoi ai./REL