Ballina Dossier Zbulohet dëshmia e rrallë në hetuesi e ish-ambasadorit shqiptar në Jugosllavi: Para...

Zbulohet dëshmia e rrallë në hetuesi e ish-ambasadorit shqiptar në Jugosllavi: Para se të vriste veten, Mehmet Shehu më dërgoi me korrier një letër, më thoshte se…

39
0

Nga Dashnor Kaloçi

Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumente arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!

Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, gazeta ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota e me faksimilet përkatëse.

Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive ne hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.

Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje.

Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.

Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar), si në opinionin e brendshëm, ashtu dhe në atë të jashtëm gjithashtu!

Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankon e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj., ku në procesin hetimor dhe gjyqin e tyre, ishin plot 275 dëshmitarë.

Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, që në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë kësaj ngjarje, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë të plota, së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.

(Vijon nga numrat e kaluar)

“PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË DHIMITËR LAMANIT, ISH-AMBASADOR I SHQIPËRISË NË STOKHOLM TË SUEDISË, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME, BASHKIM ASLALNI DHE SKËNDER MYFTARI

PROÇES – VERBAL (I pyetjes së dëshmitarit)

Sot me datën 23.1.1983 në Tiranë.

Ne, hetuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bashkim Asllani dhe Skënder Myftari, marrim në pyetje si dëshmitar, Dhimitër Kleanth Lamani, i datëlindjes 1918, me arsim të lartë, me banim Lagjja Nr. 8, Pallatet “Agimi”, Shkalla 26, Ap. 404, pensionist, anëtar i PPSH-së, i padënuar.

Dëshmitari u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka, në bazë të nenit 202 të Kodit Penal të RPSSH-së, për dëshmi të rreme.

DËSHMITARI

Dhimitër Lamani

Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë: Në vitin 1979, në muajin prill, më thirri armiku Nesti Nase dhe më komunikoi se isha ambasador në Suedi. Atë muaj jam nisur për në Suedi. Aty nga muaji qershor, ose korrik, më njoftoi Nesti Nase me telegram, që të interesohesha në Suedi, që të më jepnin pesë bursa për studime pasuniversitare. Bëra kërkesë dhe na i aprovuan. Më pas, Nesti Nase më bëri një letër personale ku më njoftonte se do të vinte djali i Mehmet Shehut, Skënder Shehu për studime dhe më jepte për të një varg porosish, si për ruajtjen e sekretit, si për pseudonimin, se për të duhet të vinim në dijeni një zëvendësministër të Punëve të Jashtme të Suedisë.

Po kështu ai më porosiste, të gjenim tre apartamente, se Skënderi do vinte me dy familje i shoqëruar, të Gani Kodrës dhe të shoferit, Thanas Kosta. Nga armiku Nesti Nase, bile na erdhi një urdhër që, vetëm për t’u paguar qiraxhinjve si paradhënie, për të na gjetur tre apartamente bashkë, ne të harxhonim 20 mijë dollar, ose 100 mijë korona. Meqenëse gjetëm variant tjetër, nuk i paguam.

Gjatë kohës që erdhi dhe qëndroi Skënder Shehu në Suedi, unë kam vënë re, që në kundërshtim me rregullat, për të dhe shoqëruesit e tij, janë bërë shpenzime të mëdha. Kështu p.sh., ishte e padrejtë, që ai të shoqërohej nga dy familje, që paguheshin nga shteti! Për rrjedhim, u deshën tre apartamente dhe boshe që në atë kohë ishte e vështirë t’i gjeje dhe që suedezët i jepnin shumë shtrenjtë.

Po kështu, janë bërë nga ana e tyre lëvizje të shumta, si në Francë, Gjermani dhe Danimarkë. Kanë ardhur jashtë rregullave në Shqipëri dhe jo në rrugët më të shkurtra, por itineraret, sipas urdhrave me shkrim të Nestit, i caktonin vetë, e i bënin shtet më shtet, si p.sh., nga Suedia në Danimarkë, Zvicër, Itali, Shqipëri. Në një rast shkuam deri në Kopenhagen dhe aty u përplasëm dhe makinën e shkatërruam.

Skënderi më tha në telefon, mos e njofto, por unë i bëra Nestit telegram. Kur erdhi, bleu me urdhër të Nestit, makinë të re. Në telegram Nesti thosh; makina të jetë gati, para se të vij Arjan Bogova, pseudonimi i Skënderit. Pra, në këto udhëtime që bënte Skënderi me suitën e tij, harxhoheshin shuma të mëdha parash. Udhëtimet bëheshin gjithnjë në vende të klasit të parë, që janë shumë të shtrenjta.

Vetëm për makinën e re që blemë, u harxhuan rreth 10 mijë dollarë. Me urdhër të Nesti Nases, edhe shpenzimet e tjera për qejf që binin Skënder Shehu dhe Gani Kodra, si për kinema, teatër, e qerasje, i paguheshin nga ambasada, si shpenzime të bëra nga ambasada. Po kështu në kundërshtim me rregullat, me urdhër të Nesti Nases, disa herë ka ardhur për qejf nga Suedia në Shqipëri, gruaja e Gani Kodrës dhe i kanë ardhur dhe fëmijët, nga Shqipëria në Suedi. Kur kanë ardhur revizorë të ndryshëm në Suedi nga ministria dhe kanë kontrolluar aktivitetin financiar të ambasadës, i kanë konstatuar këto shkelje.

Kështu p.sh., Androkli Andoni më tha se; unë do raportoj për këto shkelje në ministri dhe përgjegjës për to, më bëri mua si ambasador. Unë i thashë Androkli Andonit, që ju raportoni në ministri, por për të gjitha këto, unë kam marrë urdhra me shkrim, nga vetë Nesti Nase.

Është e vërtetë një gjë, se këto janë quajtur shpenzime për ambasadën, por asnjë përfitim nuk ka pasur shteti dhe ambasada nga këto, sepse këto shpenzime shumë të mëdha, janë bërë vetëm për interesat e personave e qejfin e Skënder Shehut dhe shoqëruesve të tij.

Mua shpesh herë më ka marrë në telefon Fiqret Shehu, për t’i plotësuar kërkesa të ndryshme Skënderit, por unë i kam thënë që; kërkesat t’i bënin në rrugë zyrtare dhe për to të më urdhëronte Nesti Nase. Kam vënë re se për ato që më thoshte në telefon Fiqreti, të nesërmen më vinte me telegram urdhri i Nesti Nases.

Aty nga mesi i vitit 1980, unë erdha për një seminar në Tiranë. Në një takim, i thashë Nesti Nases: “Po bëhen shumë shpenzime dhe unë e kam tejkaluar fondin e ambasadës”! E kisha fjalën pikërisht, për shpenzimet e sipërpërmendura. Nesti, aty për aty, ma priti: “Dhimitër, nuk të lë njeri pa para, prandaj, ti nuk ke pse të ngresh të tilla probleme! Ato duhen bërë dhe do t’i mbulojmë ne”!

Kur kam qenë ambasador në Paris, në fund të vitit 1980, ishte për të ardhur në Francë me studime, djali i Mehmet Shehut, Skënderi. Me gjithë përpjekjet tona si ambasadë, pala franceze s’e pranoi! Nuk i është thënë se ishte djali i kryeministrit. Atëhere Nesti më bëri telegram dhe më thoshte afërsisht se; asgjë nuk do më justifikohet nga përgjegjësia, në qoftë se nuk do e rregulloja. Nga telegram e kuptova presionin që po bënte Mehemt Shehu, nëpërmjet Nesti Nases, por megjithatë, s’kisha çfarë të bëja.

U detyrova i thashë në telegramin e përgjigjes; “në qoftë se kam përgjegjësi, më thërrisni në ministri, për të dhënë llogari”. Po kështu, në kohën që kam qenë ambasador në Jugosllavi, në vitin 1972 ose 1973, kur në kundërshtim me rregullat, është dërguar Vladimir Shehu në Nish të Jugosllavisë, që është qendra e reaksionit serbomadh, në një kurs dyjavor për televizorë. Mirëpo, me gjithë shqetësimet tona si ambasadë, Fiqret Shehu thoshte që; patjetër të rregullohet për një muaj, gjë që ne s’e realizuam.

Pas Kongresit të 8-të u takova me armikun Mehmet Shehu, por ai pasi më pyeti për problemet e tregtisë, edhe më tha që t’i çoja të fala Skënderit, nuk më tha ndonjë gjë me rëndësi. Gjithashtu para se të vriste veten tradhtari Mehmet Shehu, më dërgoi nëpërmjet Nesti Nases me korrier, tre letra të veçanta nëpër zarfa, të mbyllura në një zarf të madh, një për mua, një për Skënderin dhe një për Ganiun, të cilat unë i kam dërguar pas vetëvrasjes, me postë.

Në timen ai thoshte se; kemi vendosur të kthehet në Shqipëri  Skënderi dhe studimet t’i vazhdojë me korrespodencë. Gjithashtu kam për të thënë, se në muajin maj 1981, nga Franca në Suedi, erdhi Fiqret Shehu, gjoja për vizitë mjekësore. Bile e takuam edhe me një profesor. Ajo ka bërë edhe shëtitje, piknikë e, vizita, si në Stokholm e Danimarkë.

Në atë kohë nuk kam ditur asgjë rreth qëllimeve të vërteta armiqësore, të ardhjes së Fiqret Shehut në Suedi. Por gjatë asaj kohe, veç telefonatave të vazhdueshme nga familja e armikut Mehmet Shehu, në mënyrë të vazhdueshme interesohej për Fiqret Shehun me telegram, edhe Nesti Nase.

Gjë tjetër nuk më kujtohet.

Proces-verbalin e lexova, thëniet janë shkruar drejt, i nënshkruaj me firmën time.

Dëshmitari Dhimitër Lamani

Hetuesit Bashkim Asllani, Skënder Myftari”. /Memorie.al/