Ballina Politika Rama: Njerëz nga partia jonë po japin llogari para drejtësisë

Rama: Njerëz nga partia jonë po japin llogari para drejtësisë

43
0

Kryeminstri Edi Rama nga Madridi ku nënshkroi marrëveshjen për organizimin e “World Law Congress Albania 2027”, Kongresit Botëror të Ligjit në vitin 2027 në Shqipëri, vlerësoi reformën në drejtësi.

Kreu i qeverisë tha se kjo reformë solli pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

Sot, tha Rama, “gjyqësori nuk është më në duart e politikës dhe na duhet të jemi dëshmitarë të kësaj gjëje duke parë edhe njerëz nga partia jonë, nga shumica jonë, të japin llogari para drejtësisë”.

Edi Rama: Nga ana tjetër dua të them që kemi kaluar nëpër një reformë të jashtëzakonshme drejtësie, një pastrimi të jashtëzakonshëm të sistemit tonë të drejtësisë nga gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Procesi i rivlerësimit ka marrë shumë vëmendje e mjaft respekt në Europë dhe ka qenë thelbësor për ne që të ecim përpara dhe për herë të parë që kur kemi një shtet dhe jemi një shtet i ri, u pavarësuam nga Perandoria Osmane vetëm në 1912, kemi tashmë një gjyqësor që nuk është më në duart e politikës dhe na duhet të jemi dëshmitarë të kësaj gjëje duke parë edhe njerëz nga partia jonë, nga shumica jonë, të japin llogari para drejtësisë.

Kështu që e dinim këtë dhe nuk pendohemi, në të kundërt do të nxisim sa më shumë të jetë e mundur që më së fundi, shteti i së drejtës të jetë emëruesi i përbashkët i shoqërisë. Sigurisht, ka shumë tundime sot, sidomos në pjesën perëndimore të Europës për të menduar për largimin nga Bashkimi Evropian, për mbylljen e kufijve, për kthimin në kufijtë e vjetër doganorë ku vendet ishin gjithsecili më vete, e kështu me radhë dhe shpesh herë më duhet t’i përgjigjem pyetjes se ç’plan B ka Shqipëria?

Duke qenë Bashkimi Evropian plani ynë A dhe unë përgjigjem bindshëm, shumë bindshëm se nuk ka plan B për ne, sepse të kemi një plan B përkundrejt Bashkimit Europian, është të kemi plan B përkundrejt lirisë individuale, është të kesh një plan B përkundrejt shtetit të së drejtës, është të kesh një plan B përkundrejt demokracisë dhe nëqoftëse ke një plan B përkundrejt këtyre të trijave, atëherë do të jesh i dënuar të jetosh në një shoqëri të kategorisë B, për shumë njerëz ku ka fitues e ku ka humbës dhe ne nuk e duam këtë. Ne duam një vend ku të gjithëve u jepet mundësia të fitojnë dhe ku askush, nuk mund të fitojë në kurriz të dikujt tjetër dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëqoftëse ne, në mënyrë këmbëngulëse zbatojmë liritë individuale, shtetin e së drejtës dhe demokracinë.