Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm për të ofruar të ardhme më të mirë për çdo shqiptar.
Në një postim në facebook, ai thotë se programi i Demokratëve Euroatlantikë është ambicioz, ekonomik dhe social, që synon paga më të larta, mbështetje për shtresat në nevojë, arsim cilësor dhe një klimë më të favorshme për sipërmarrjen.
Basha ka bërë thirrje për ndryshim më 11 maj, duke ftuar qytetarët të mbështesin alternativën e tij për një Shqipëri më të drejtë dhe të zhvilluar.
Postimi i Bashës:
Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm për të ofruar të ardhme më të mirë për çdo shqiptar: vend i mundësive të reja, ku të rinjtë të gëzojnë punë me paga të larta; shtresat në nevojë të marrin trajtim dinjitoz; pensionistët të gëzojnë mbështetje të denjë; shëndetësia tu ofrohet sipas nevojës, jo sipas xhepit; arsim cilësor për të gjithë; sipërmarrja të zhvillohet në liri të plotë nga taksidarët dhe taksat e larta, dhe shtresa e mesme të ripërtërihet dhe të zgjerohet.
Ne kemi hartuar me kujdes një program ambicioz, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj, që synon të transformojë realitetin tonë ekonomik dhe social.
Më 11 maj, ju ftojmë të zgjidhni alternativën që mbron mirëqenien e familjeve, nxit sipërmarrjen dhe ofron mundësi të reja për të rinjtë, duke luftuar korrupsionin dhe keqpërdorimin e burimeve publike, për të lënë pas sistemin e ndërtuar nga qeveria Rama, që skllavëron shqiptarët duke u marrë gjithçka e duke mos u dhënë asgjë.
Bashkohuni me ne në këtë rrugëtim për ndryshim, sepse e ardhmja e vendit tonë është në dorën e qytetarëve që besojnë se Shqipëria meriton më shumë.