Shërbimet e Policisë Kufitare kanë rritur vigjilencën për goditjen e paligjshmërive në kufi. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me autoritetet doganore, në hyrje të RSh-së, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin kosovar G. M.
Gjatë kontrollit u gjetën 16 000 euro, të cilat ky shtetas po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar G.M., 55 vjeç, banues në Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.