Ballina Kosovë Zgjedhjet në Kosovë/ Voton diaspora, KQZ: Deri në orën 11:00 kanë votuar...

Zgjedhjet në Kosovë/ Voton diaspora, KQZ: Deri në orën 11:00 kanë votuar 21% e emigrantëve të regjistruar

29
0

Qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë po votojnë të shtunën në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 11:00 kanë votuar 4.390 persona apo 21.60 për qind e votuesve të regjistruar.

Për të votuar në përfaqësitë diplomatike të Kosovës janë regjistruar 20.324 votues.

Përqindja më e lartë e daljes në zgjedhje është në Ambasadën e Kosovës në Bern të Zvicrës, ku 37.44 për qind e 967 votuesve të regjistruar në dy vendvotime në këtë ambasadë, kanë votuar deri në orën 11:00.

Ndërkaq, dalja më e ulët deri në orën 11:00 është regjistruar në Ambasadën e Kosovës në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku nga 55 votues të regjistruar kanë votuar vetëm 6 prej tyre apo 10.91 për qind.

Votimi nisi në orën 07:00 në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në shtetet e Evropës, ndërkaq në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada do të nisë në orën 13:00, sipas kohës lokale në Kosovë.

Votimi më 8 shkurt zhvillohet në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës.