Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Gonnoi të Larisës, Greqi, ku një 60-vjeçar, ish-kandidat për deputet i Agimit të Artë dhe pronar i një zdrukthtarie, dyshohet se ka vrarë dy persona pas një konflikti me motive ende të panjohura. Viktimat janë romë nga zona e Magnezia dhe duket se kanë pasur marrëdhënie me autorin.
Autori ka deklaruar se ka vrarë dy persona, por deri tani është identifikuar vetëm një viktimë. Ai është i armatosur dhe ka bllokuar veten në zdrukthtari, duke mbajtur një granatë. Politikanin me precedentë penalë për dhunë familjare dhe lidhje me Agimin e Artë, aktualisht po e mbikëqyrin forcat speciale të policisë greke, të cilat janë mbledhur në vendngjarje, ndërsa një negociator po përpiqet të bindë autorin për t’u dorëzuar.
Sipas raportimeve, autori është zemëruar për një mosmarrëveshje financiare, pasi viktimat dyshohet se e kanë mashtruar gjatë një transaksioni për makineri, duke i paguar vetëm 2 mijë euro nga 32 mijë që kishte kërkuar.
Operacioni është ende në zhvillim e sipër, ndërkohë që autoritetet kanë kërkuar nga qytetarët të shmangin zonën dhe të respektojnë udhëzimet e policisë.