Irena Beqiraj
USAID-i u krijua në vitet 1960 nga administrata Kennedy me dy qëllime qendrore. E para ishte t’i çonte vendet drejt vetë-mjaftueshmërisë, edhe e dyta ishte hapja e tregjeve dhe mundësive të biznesit për kompanitë amerikane. Agjencia e zhvillimit shihej si një përpjekje për të fituar “zemrat dhe mendjet” e njerëzve në vendet në zhvillim.
Me kalimin e kohës transformimi i vendeve drejt vetë-mjaftueshmërisë mbeti I pa lëkundur vetëm ne retorikën e USAID, ndërsa komunitetet në nevojë përfitonin vetëm thërrimet e ndihmës amerikane.
Sipas shifrave të publikuara rreth 40 për qind u fondeve shpenzohen nga vetë Agjensia për të blerë mallra dhe për të paguar pagat. 20 për qind administrohet nga firmat dhe organizatat jofitimprurëse me bazë në SHBA si Chemonics ose Fondacioni Sorros etj. Pak më shumë se 30 për qind shkon drejt organizatave ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara , Institucioneve të tjera shumëpalëshe dhe OJQ-ve ndërkombëtare. Dhe vetëm 5% e pjesës së mbetur përfitohet nga organizatat jofitimprurëse, kryesisht me origjinë në vendet përfituese.
Pra “sekreti ” i përhapur me kohë tanimë në Uashington, DC, është se shumica e parave ndihmës së zhvillimit shkon tek një grusht kontraktuesish të mëdhenj ose tek “kompleksi industrial i ndihmës “, siç e quan shefja aktuale e USAID-it, Samantha Power . Rreth 1% e ndihmës dypalëshe shkon drejt për së drejti në komunitetet lokale të vendeve në zhvillim.
Duke mos i ndihmuar efektivisht vendet të arrinin vet-mjaftueshmerinë USAID-i dhe kompleksi industrial I ndihmës janë rritur së bashku edhe kanë ekzistuar për një kohe të gjatë.
Në librin “Shteti i ndihmës” Jake Jonston jep shembuj të kësaj dinamike. Për shembull në Haiti, USAID-i u mbështet tek Chemonics për të zbatuar ndihmën amerikane pas tërmetit e 2010. Kjo u arrit përmes kontratave pa tenderim që agjencia beri disa ditë pas urgjencës. Dështimet e Chemonics filluan të shfaqen përmes skandaleve të shumta. Një prej tyre ishte zbatimi i programin “cash-for-work” të USAID-it. Chemonics dështoi të punësonte një numër të konsiderueshëm haitianësh.
Por kjo nuk e pengoi USAID-in që vetëm tre muaj pas skandalit, ti jepte Chemonics 53 milionë dollarë shtesë për të zbatuar 141 projekte të reja në Haiti. Pra përmes dështimeve të tij kompleksi industrial i ndihmës krijonte më shumë punë, duke i zgjatur jetën edhe USAID-it, pasi nevojat nuk ishin plotësuar.
USAID-i ka pasur gjithmonë mbështetjen bipartizane edhe të Demokratëve edhe Repulikanëve. Rrjeti i firmave, lobistëve, akademikëve që financoheshin nëpërmjet USAID po ashtu siguronin mbështetjen politike për USAID-in .
Në “Vizionin për Irakun pas konfliktit”, administrata e Bush përdori kontratat e USAID-it për të demonstruar vendosmërinë e saj për të përmirësuar cilësinë e jetës në Irak, edhe pse pushtimi i tij ishte të gabuar. Dokumenti i strategjisë përfshinte plane për të rindërtuar sistemet e furnizimit me ujë të Irakut, rrugët, portet, spitalet dhe shkollat brenda 18 muajve. USAID filloi të kërkojë oferta me vlerë deri në 900 milionë dollarë nga kompani të parakualifikuara amerikane për të përfunduar rindërtimin e vendit.
Të vetmit ofrues të parakualifikuar për të aplikuar për kontratat fitimprurëse të rindërtimit dhe për të përmbushur kërkesat e sigurisë së qeverisë së SHBA ishin amerikanë. Këto kompani amerikane përfshinin Bechtel Group, Fluor Corporation, Halliburton Co., Kellogg Brown & Root, Louis Berger Group dhe Parsons Corporation.
Të gjitha këto kompani amerikane kishin lidhje të ngushta me politikanët që planifikuan pushtimin . Për shembull, Bechtel-i dhe punonjësit e tij kontribuan me 1.3 milionë dollarë për kandidatët republikane nga viti 1999 deri në 2002.
USAID më vonë i dha Bechtel-it 1.8 miliardë dollarë kontrata për infrastrukturën për të rindërtuar sistemet e ujërave të zeza, sistemet elektrike dhe rrjetit te furnizimit të ujit në Irak. Në fund, Bechtel u largua nga Iraku në pamundësi për të përfunduar më shumë se gjysmën e këtyre projekteve dhe me 52 punëtorë të vrarë, shumica e të cilëve ishin irakianë. Përdorimi i kontraktorëve amerikanë për rindërtimin e Irakut pengoi suksesin dhe shpejtësinë e rindërtimit. Por efektet në institucionet e Irakut ishin më të dëmshme, pasi strategjia e USAID-it për t’ua transferuar rindërtimin kompanive amerikane, i la kompanitë irakiane si vëzhgues pasivë.
Ky model operimi I zhvilluar nga lart poshtë u paketua dhe u eksportua në mbarë botën. Ai ka formuar edhe ka pasuruar në shumë vende ku USAID ka operuar sekte të mbylluara lokale me interesa të veçanta te shkëputura nga interesat e komunitetit lokal edhe të lidhura ngushtësisht me interesat politike . Elitat e huaja dhe vendase, u fokusuan në grumbullimin e fondeve të duke ofruar një minimumin e shërbimeve për komunitetin, por mbi të gjitha ofruan modelin një klime ku mungonte përgjegjësia, edhe që ishte larg objektivit te zhvillimit.
A duhej pezulluar USAID ashtu siç u pezullua? Dhe më tej akoma, a duhet të vazhdojë të ekzistojë edhe në të ardhmen?Kjo është një çështje që i takon popullit amerikan dhe përfaqësuesve të tij. Ata mund ta vlerësojnë dhe vendosin.
Por uroj që shqiptarët ta kenë kuptuar që ndihma nuk të nxjerr nga statusi i nevojtarit përkundrazi ! Qasja vetëmashtruese se zhvillimin , institucionet edhe demokracinë do na e sjellin e do te na garantojë aleatët duhet braktisur një herë e mirë !